
Një konflikt mes disa personave ka ndodhur në rrugën “Ali Demi” pranë zyrave të Partisë Socialdemokrate.
Gjatë sherrit është dëmtuar me sende të forta xhami i zyrës së subjektit elektoral, thekson policia, ndërsa ka nisur puna për identifikimin dhe më pas shpalljen në kërkim të personave të përfshirë.
“Rreth orës 14:00, në sallën operative të DVP Tiranë ka ardhur një telefonatë se në rrugën “Ali Demi” kishte një konflikt midis disa shtetasish, në ambientet e një zyre elektorale.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, është konstatuar i dëmtuar dyshohet me sende të forta xhami i zyrës së subjektit elektoral.
Po nga këqyrja e vendit të ngjarjes, janë konstatuar dy fishekë luftarak.
Menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë shkuar forca të shumta policie dhe grupi hetimor. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në konflikt, të cilët janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet. Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e motivit të konfliktit dhe dokumentimin e rrethanave të rastit”, sipas njoftimit zyrtar të policisë.
Në reagimin zyrtar PSD thekson se ngjarja nuk ka lidhje me zyrën elektorale apo aktivitet të PSD dhe se asnjë nga anëtarët apo simpatizantët nuk ka qenë i përfshirë në konflikt.
“Partia Socialdemokrate sqaron opinionin publik se ngjarja e ndodhur këtë mesditë në rrugën “Ali Demi”, nuk ka asnjë lidhje me zyrën tonë elektorale apo me aktivitetin e Partisë Socialdemokrate.
Vendi ku ka ndodhur incidenti ndodhet pranë ambienteve tona, por asnjë nga anëtarët apo simpatizantët tanë nuk ka qenë i përfshirë në konfliktin në fjalë. Dënojmë çdo akt dhune dhe presim që organet kompetente të sqarojnë plotësisht rrethanat e ngjarjes”, shkruhet në reagimin e PSD.
Top Channel