Akuzat e Bardhit se familjarët e kandidates së PD po intimidohen”, reagon Policia: Çdo veprim e bëmë sipas ligjit, materialet ia çuam Prokurorisë

28/04/2025 13:17
Foto Ilustruese

Drejtuesi politik i PD në qarkun Fier, Gazment Bardhi ka denoncuar Policinë e Shtetit se kanë intimiduar familjarët e kandidates për deputete Silva Hasaj.

“Dënoj me forcë çdo akt presioni dhe intimidimi që Policia e Shtetit, nën ndikimin e drejtpërdrejtë politik, ka ushtruar ndaj familjarëve të kandidates për deputete të PD, znj. Silva Hasaj. Këto veprime përfaqësojnë një përshkallëzim të rrezikshëm të përpjekjeve për të frikësuar qytetarët dhe për të deformuar vullnetin e lirë të tyre përmes shantazhit dhe dhunës institucionale.

Kjo është një shfaqje e qartë e kapjes së shtetit, ku organet e rendit, në vend që të jenë në shërbim të ligjit dhe qytetarëve, përdoren si instrumente të pushtetit për të goditur kundërshtarët politikë. Tentativa për të shkrirë bashkë Policinë e Shtetit, politikën dhe krimin e organizuar, është një rrezik serioz për demokracinë dhe stabilitetin e vendit.

Ky akt i përsëritur i përfshirjes së Policisë së Shtetit në këtë fushatë zgjedhore në qarkun Fier, garantoj se nuk do të mbeten pa pasoja. Edi Rama dhe Belinda Balluku, që i urdhërojnë dhe ata që i zbatojnë do të përballen me drejtësinë. Askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë përpjekje për të frikësuar opozitën nuk do të ketë sukses.

I bëjmë thirrje OSBE/ODIHR dhe çdo institucioni ndërkombëtar të monitorojë nga afër sjelljen e Policisë së Shtetit në zgjedhje dhe çdo përpjekje për të minuar standardet demokratike në një proces zgjedhor”, sipas reagimit të Bardhit.

Në lidhje me deklaratën Policia e Shtetit shprehet se janë kryer të gjitha veprimet procedurale konform ligjit dhe materialet janë referuar në Prokurori.

“Sqarojmë opinionin publik se në lidhje me statusin e publikuar nga drejtuesi politik i Partisë Demokratike, për qarkun Fier, z. G. B., në të cilin ai ka pretenduar se Policia e Shtetit ka ushtruar presion ndaj familjarëve të kandidates për deputete të Partisë Demokratike, znj. S. H., (shtetasi A. H. që u shoqërua, i afërm i saj), theksojmë se pretendimi është i pavërtetë pasi Policia për këtë rast ka kryer të gjitha veprimet procedurale konform ligjit dhe materialet janë referuar në Prokurori.

Policia e Shtetit garanton qytetarët dhe të gjitha subjektet politike se është tërësisht e baraslarguar nga subjektet politike dhe e fokusuar vetëm në zbatimin e ligjit, garantimin e rendit e sigurisë përgjatë fushatës elektorale dhe paprekshmërinë e votës”, sipas njoftimit zyrtar të policisë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta