
Pasiguritë tregtare në tregun europian dhe atë global, nuk priten të ndikojnë në ekonominë tonë vendase.
Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin më të fundit mbi situatën ekonomike botërore, parashikon një rritje të ekonomisë shqiptare në 3.8% nga 3.4% në parashikimin e mëparshëm.
Për ekspertët e ekonomisë, ky vlerësim është ndikuar nga ecuria pozitive e turizmit dhe sektori i ndërtimit në 2024.
Ekspertja e ekonomisë, Eriola Hoxha thotë: “Së pari dhe shtylla e ekonomisë është turizmi, që i ka sjellë një vlerë të lartë të ardhurash vendit, ecuria ekonomike në përgjithësi së dyti dhe industria e ndërtimit, e cila ka një ndikim të rëndësishëm.”
Por FMN ka ulur pritshmëritë për rritjen globale të ekonomisë më shumë se prodhimi për shkak të luftës tregtare të nisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ekonomia e botës, sipas institucionit, do të rritet me 2.8% këtë vit, 0.5% më pak se parashikimi i fillimvitit.
“Lufta tregtare që ka prekur vendet më të zhvilluara, indirekt do të prekë dhe ekonominë shqiptare. Pasi faktorët do të shkojnë zinxhir nga SHBA, Europa dhe më pas Shqipëria”, shton ekspertja.
Deri më tani, nga ky rrezik global, Banka e Shqipërisë parashikon një ndikim në inflacionin vendas, kryesisht nga luhatjet në tregun e Eurozonës.
Top Channel