Fiks Fare/ Denoncoi vëllanë e deputetes së PD-së se i nxori armën, policia e arreston, qytetari: Prokuroria nuk e hetoi ngjarjen

24/04/2025 20:46

Një qytetar nga Kurbini i është drejtuar Fiks Fare duke denoncuar mosveprimet e organeve ligjzbatuese për hetimin e z. Markelian Hoti, vëllai i deputetes së PD-së Elda Hoti.

Aleks Dalipi tregon se në vitin 2021 është qëlluar me armë në Milot nga Markeliani, por policia dhe prokuroria nuk e kanë hetuar ngjarjen. Sipas tij, autori nuk është kapur në atë kohë dhe se ekspertiza e gjurmëve të barutit në duar i është bërë babait të tij (edhe të deputetes). Më pas çështja është pushuar.

Ndërkohë, Aleksi tregon edhe një ngjarje të ndodhur më datë 4 prill 2025, në zonën pranë Pallatit të Kulturës në qytetin e Laçit. Ai thotë se ka qenë duke ecur me makinë dhe disa djem i kanë dalë para. Njëri prej tyre, sërish Markelian Hoti, ka nxjerrë armën dhe e ka kanosur. Për ngjarjen mori menjëherë numrin 129 të policisë, por vonesat në reagim sollën që personi të largohej.

Dosja e 2021-shit; Vëllai i deputetes u hetua për armëmbajtje …

Aleks Dalipi tregoi se i është drejtuar Fiks Fare pasi nuk ka besim te Policia e Kurbinit dhe Prokuroria e Lezhës. Fillimisht ai tregon ngjarjen e ndodhur në datën 13 mars 2021 në qytetin e Milotit. Sipas tij, atë mbrëmje është konfliktuar me një person, të quajtur Markelian Hoti, vëllai i deputetes Elda Hoti. Madje ai ka denoncuar se Markeliani e ka qëlluar me armë dhe fatmirësisht plumbat s’e kanë prekur.

Aleksi i vuri në dispozicion Fiksit edhe dosjen hetimore për çështjen, ku Markeliani nuk është arrestuar pas ngjarjes por është dorëzuar vetëm pas disa muajsh.

“Markeliani më gjuajti me armë. S’kisha konflikte, nuk e di motivin. Fatmirësisht s’më kapën. Por ai as u kap dhe më dërgoi mesazh se herën tjetër s’do më falë. Unë dua të denoncoj se ngjarja nuk u hetua. Hetuesit në vend që ti bënin ekspertizë për barut Markelianit, i bënë ekspertizë babait të Markelianit dhe Elda Hotit. Normalisht ai nuk qëlloi” pohon ai.

Në dosje janë veprimet hetimore, ku rezulton se duke qenë se s’është gjetur as armë, predha apo mbetje baruti, çështja u pushua pas 1 viti.

Ngjarja e 2025-ës: Denoncoi vëllanë e deputetes se i nxori armën!

Krahas ngjarjes së 2021-shit, Aleks Dalipi tregoi për kamerat e Fiks Fare edhe për një ngjarje tjetër në datë 4 prill 2025 të ndodhur paradite në qendër të qytetit të Laçit, pas Pallatit të Kulturës. Është një zonë e gjitha me kamera dhe fare mirë organet ligjzbatuese mund ta zbardhin plotësisht.

Aleksi thotë se, ka qenë duke ecur me makinë te rruga e pazarit dhe i kanë dalë para disa djem që i kanë bërë me shenjë të lëvizte shpejt. “Ishin nga shtabi elektoral i deputetes Elda Hoti. Njëri më tha ik shpejt dhe më vonë doli në skenë Markelian Hoti që u tha se merrem unë me këtë. Në një moment ai vuri dorën në brez dhe nxori armën duke ma treguar. Menjëherë e kanë rrethuar të tjerët dhe e kanë marrë” pohon Aleksi.

Ai shton se menjëherë ka marrë në telefon sallën operative të policisë së Kurbinit. “I mora menjëherë po as nuk dënjuan të vinin. Shkova vetë në Komisariat dhe s’ishte shefi. Më lanë 40 minuta të prisja. Më pas ika të bëj denoncim në Drejtorinë e Policisë së Lezhës. Atje kam qëndruar te holli dhe më kanë marrë në telefon nga Policia e Kurbinit që të paraqitesha atje. Madje më sollën edhe një patrullë policie” thotë ai.

Më pas tregon edhe ballafaqimin me personat që i kallëzoi. “Në momentin që sapo hyj, në oborrin e komisariatit më del para deputetja Elda Hoti sëbashku me vëllanë e saj, Markelian Hotin. Ishte në gjendje të lirë. Sa më panë më kërcënuan dhe ofenduan. Edhe unë i ofendova. Të pranishëm ishin edhe shefat e komisariatit. Në një moment deputetja urdhëron që mua t’më fusin në qeli. Në atë moment nga frika se mos më qëllonin, edhe deputetja, u largova me shpejtësi nga komisariati” pohon Aleksi.

35-vjeçari tregon se është larguar nga muri i komisariatit. “Kisha frikë se mos më rrihte deputetja Elda Hoti, policët dhe vëllai i saj. Më mirë të më vrasin sesa të më rrihte ajo. Tani më kanë shpallur mua në kërkim. Në vend që të hetojnë ata që më kanosën, më nxorën armën, më hetojnë mua. Vjen policia dhe më kërkon” shton ai.

Hetime kontradiktore për 4 prillin; Kush denoncoi dhe kë?!

Fiks Fare shkoi në Policinë e Kurbinit dhe mëson se ndaj për Aleks Dalipin kanë shkuar materialet në Prokurorinë e Lezhës për kundërshtim të policisë. Ndërkohë, Markeliani po hetohet në gjendje të lirë. Fiksi mësoi se policia i ka bërë një kontroll banese por s’i ka gjetur armë. Ndërkohë, ai është dorëzuar në polici më 4 prill nga e motra e tij, deputetja Elda Hoti.

“Me dëshirën më të madhe jeni të mirëpritur. Nëse pajiseni me një autorizim nga eprorët e mi absolutisht jemi të disponueshëm çfarëdolloj gjëje që keni nevojë. Vetëm për pjesën e kamerës, jo se kemi ndonjë gjë për të fshehur, por e kemi të ndaluar me ligj” ishte përgjigjja e shefit të krimeve të Kurbinit. Fiks Fare i drejtoi disa pyetje komisariatit se çfarë ka ndodhur në datën 4 prill 2025.

Policia thotë se ka ndodhur një kanosje dhe kundërshtim të forcave të policisë, por ka dhënë asnjë informacion më tepër se kush kanosi i pari dhe kë! E pyetën gjithashtu komisariatin se çfarë akuze ka z. Aleks Dalipi dhe çfarë akuze ka Markelian Hoti.

Në përgjigje, policia thotë se Aleks Dalipi akuzohet për kanosje dhe kundërshtim të policisë. Ndërkohë, nuk jep asnjë të dhënë për Markelianin. Fiksi ka mësuar se vëllai i deputetes po hetohet në gjendje të lirë. Në datën 4 prill, policia i ka bërë një kontroll banese, por s’i ka gjetur armë. Ndërkohë, ai është shoqëruar në polici po më 4 prill nga e motra e tij, deputetja Elda Hoti, për tu lënë i lirë më pas.

Pyetja tjetër që Fiksi i drejtoi këtij komisariati ishte nëse kanë marrë kamerat e sigurisë pas Pallatit të Kulturës në qytetin e Kurbinit dhe çfarë kanë konstatuar këto kamera? Policia thotë se këto janë sekrete hetimore dhe se materialet janë dorëzuar në prokurori!

Një tjetër pretendim i ankuesit ishte se në datën 4 prill 2025 brenda komisariatit ka pasur një debat me zonjën Elda Hoti, deputete dhe kandidate për deputete të 11 majit. Dhe, sipas denoncuesit, kjo zonjë e ka denoncuar brenda ambienteve të Komisariatit.

Fiks Fare ka mësuar se, deputetja, vëllai i saj Markelian Hoti, por edhe disa persona të tjerë, kanë bërë deponime kundër Aleks Dalipit. Por, kallëzimin e bëri i pari Aleksi dhe deponimet janë bërë vetëm pas kontrollit të banesës së Markelianit.

21 ditë pasi denoncoi vëllanë dhe deputeten, e arrestojnë!

Fiksi shkoi pas Pallatit të Kulturës në qytetin e Laçit, pikërisht te vendi ku ka ndodhur edhe përplasja. I gjithë ky segment ishte me kamera sigurie nga bizneset. Mjaftonte një verifikim i vogël nga Policia e Kurbinit, apo nga Prokuroria e Lezhës, duke marrë kamerat e sigurisë të këtyre objekteve dhe i gjithë incidenti i ndodhur më datë 4 prill 2025, mund të zbardhej fare lehtësisht.

Fiks fare shkoi në selinë e Partisë Demokratike në qytetin e Kurbinit, për të takuar deputeten dhe vëllanë e saj. Por, zyra ishte e mbyllur. Në të njëjtën ditë, gazetarët biseduan në telefon me deputeten Elda Hoti, për ta pyetur rreth dy ngjarjeve, 13 marsi i vitit 2021 dhe 4 prilli 2025!

Fillimisht tha se “nuk e di se çfarë ka ndodhur më 4 prill”. Më pas u kujtua dhe pyeti gazetarët nëse ishte ankuar ndonjë person. Fiksi i tha se është ankuar Aleks Dalipi për dy ngjarje. “Po, personi që prish fushatën dmth. S’ka punë tjetër do të bëjë shoë” tha ajo, teksa shtoi se “s’është e vërtetë as njëra dhe as tjetra”. Më pas takoi grupin e Fiksit në zonën e Komunës së Parisit, por nuk pranoi të japë intervistë për këtë ngjarje.

Disa ditë pas interesimit të Fiks Fare për këtë rast, në datën 23 prill 2025, Policia e Kurbinit njoftoi se ka ndaluar Aleks Dalipin për dy vepra penale. Një ditë më pas, në datë 24, doli edhe njoftimi për shtyp ku shkruhet se bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, është lokalizuar, kapur dhe ndaluar shtetasi A.D., alias F.L, 35 vjeç, banues në Malbardhë, Kurbin.

Sipas policisë, ky shtetas dyshohet se më datë 4 prill 2025 në qytetin e Laçit ka kanosur disa shtetas për motive të dobëta. Gjatë veprimeve proceduriale të punonjësve të policisë, 35 vjeçari i ka kundërshtuar ata me forcë dhe është larguar. Materialet i kaluan Prokurorisë në Lezhë për kanosje dhe kundërshtim të punonjësit të rendit publik.

Në njoftim, policia nuk dha asnjë informacion për palën që denoncuesi i kallëzoi! Madje, as emrin e Markelian Hotit apo edhe të deputetes, Elda Hoti, e cila ndodhej brenda komisariatit në datën 4 prill.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta