“Do jetë një sezon i dhimbshëm”/ Drejtuesi i Ferrarit i përgjigjet Hamiltonit: Kemi bërë vetë pesë gara, e di që doni…

23/04/2025 16:17

Fred Vasseur, drejtuesi i ekipit të Ferrarit, ka mohuar me vendosmëri pretendimet se forma e Lewis Hamilton ka pësuar një rënie të ndjeshme në fillim të sezonit të ri në Formula 1.

Komentet vijnë pas një fundjave të vështirë për britanikun në Çmimin e Madh të Arabisë Saudite, ku përfundoi në vendin e shtatë, shumë pas shokut të skuadrës, Charles Leclerc.

Shtatë herë kampioni i botës e cilësoi garën në Jeddah si “të tmerrshme” dhe paralajmëroi një sezon të parë “të dhimbshëm” me Ferrarin, pavarësisht se kanë kaluar vetëm pesë gara nga kampionati.

Hamilton, 40 vjeç, ndonëse siguroi një fitore në garën sprint në Kinë muajin e kaluar, është mposhtur në kualifikime nga Leclerc në tri gara radhazi: në Japoni, Bahrein dhe Arabinë Saudite.

I pyetur nga mediat për formën e Hamiltonit dhe nëse ajo ka rënë ndjeshëm, Vasseur reagoi me humor dhe vendosmëri:

“Në mënyrë dramatike?! Kemi bërë vetëm pesë gara deri tani. E di që doni tituj bombastikë, por kjo është budallallëk. Jemi në një kampionat të gjatë, me ulje dhe ngritje. Kur jemi lart, nuk jemi kampionë bote, dhe kur jemi poshtë, nuk jemi askund.”

Pavarësisht sfidave, Ferrari gjeti një rreze shprese me podiumin e Leclerc, ndërsa Hamilton vijon të kërkojë zgjidhje për të përmirësuar performancën në garat e ardhshme. Ai aktualisht ndodhet në vendin e shtatë në renditjen e përgjithshme të pilotëve, me rezultatin më të mirë të këtij sezoni – vendi i pestë në Bahrein.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta