
Në Gjirokastër, muzeu “Muza Ime”, një memorial kushtuar intelektuales dhe disidentes së njohur Musine Kokalari, po shndërrohet në një qendër kulturore me shumë dimensione.
Përveçse u ofron vizitorëve mundësinë të njihen me jetën, kujtimet, objektet personale dhe dorëshkrimet e saj, ky muze po bëhet një hapësirë ku vepra e Musinesë ndërvepron në mënyrë kreative me publikun e të gjitha moshave.
Fëmijët e Qendrës Kulturore “Fato Berberi” vizituan së fundmi muzeun, ku u njohën me librin e Musine Kokalarit “Rreth zjarrit”.
Vepra, e cila përcjell një shpirt të fuqishëm lokal, përmbledh gjëegjëza, fabula, lojëra popullore, këngë dhe aspekte të rralla të trashëgimisë sonë folklorike, përfshirë edhe elementë të polifonisë.
Fëmijët organizuan lojëra të frymëzuara nga kjo vepër, ndërsa një këngëtar i ri solli një monofoni të veçantë kushtuar figurës së Musinesë.
Arjeta Kokalari, familjare e Musine Kokalarit dhe menaxhere e muzeut, foli për rolin emancipues të jashtëzakonshëm të Musinesë si shkrimtare, si grua dhe si njeri.
Ajo theksoi dëshirën që Musineja kishte për të ndarë njohuritë e saj dhe për të parë shoqërinë shqiptare të përqafojë progresin dhe të renë.
Ritvana Babaramo, drejtuese e Qendrës Kulturore të Fëmijëve, theksoi se vizita si kjo synojnë edukimin e brezave të rinj jo vetëm me historinë dhe personalitetin e Musine Kokalarit, por edhe me traditat, motivet dhe ritmet e trashëguara ndër shekuj.
Muzeu “Muza Ime” është duke komunikuar në forma të ndryshme me publikun përmes dimensioneve të shumta që mishëronte vetë Musineja në jetën dhe veprën e saj.
Musine Kokalari, shkrimtarja e parë shqiptare dhe themeluese e Partisë Social-Demokrate, lindi në Gjirokastër më 10 shkurt 1917 dhe vdiq në vetmi në Rrëshen në gusht të vitit 1983, pas shumë vuajtjesh të shkaktuara nga një tumor.
Ajo përjetoi mbi 37 vite burgime dhe internime nga regjimi komunist, por mbeti deri në fund simbol i lirisë së mendimit dhe i qëndresës intelektuale.
Top Channel