
Gerald Kollçaku, Klaudjo Kapllanaj, Ledjan Kapllanaj, janë vënë nën hetim nga Prokuroria e Fierit, për veprën penale ‘goditje për shkak të detyrës’.
Prokuroria ka paraqitur në gjykatë kërkesën për vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal ndaj tyre.
Ata akuzohen për ngjarjen e ndodhur në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Parkut” në Fier, pak ditë më parë.
“Menjëherë pas njoftimit, policia gjyqësore nën drejtimin e Prokurorise Fier, ka kryer veprimet e para hetimore nga të cilat është dokumentuar se, një hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerët e Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, kanë qenë duke kryer veprime hetimore në kuadër të një hetimi të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në aksin rrugor Fier-Patos, në afërsi të fshatit Portëz e Madhe, Fier.
Gjatë kohës që ishin duke kryer veprime, ata janë filmuar nga shtetasi O.I., ç’ka i ka detyruar të largohen nga vendi ku ishin pozicionuar. Rreth 30 minuta më pas, gjatë kohës që ishin duke qendruar në mjetin e tyre në një vend tjetër, në anë të rrugës publike pranë vendit të quajtur “Rrethrrotullimi i Parkut”, të qytetit të Fierit, u janë afruar tre automjete nga kanë kanë zbritur disa persona, të cilët kanë ushtruar dhunë fizike ndaj punonjësve të policisë, pavarësisht prezantimit të këtyre të fundit”, njofton policia.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21.00 në lagjen 1 maji kur situata u tensionua dhe më pas punonjësit e biznesit të ndërtimit u përplasën fizikisht me zyrtarët e BKH-së dhe forcat operacionale. Dëshmitarët gjatë marrjes në pyetje në polici kanë thënë se sherri ka nisur për parkim të gabuar të disa automjeteve pranë bizneseve të ndërtuesit Shkëlqim Kapllanaj, ndërsa dikush tjetër ka përmendur edhe ngritjen e një droni. Punonjësit e operacionales kryen kallëzim duke pretenduar sulm për shkak të detyrës.
Top Channel