
Ambasadori i Bashkimit Europian, përgëzon Shqipërinë, pas çeljes së negociatave për grupkapitullin “Tregu i Brendshëm”.
“Një tjetër hap i rëndësishëm për Shqipërinë në rrugëtimin e saj në BE: hapja e grupit të tregut të brendshëm! Tani është e rëndësishme të miratohen dhe zbatohen reformat në lidhje me BE-në. Përafrimi i vazhdueshëm me atë që është kërkuar nga BE, e sjell Shqipërinë më pranë një Evrope të bashkuar dhe më të sigurt“, shkruan ambasadori në një reagim në “X”.
Gonzato theksoi se BE do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në çdo hap gjatë këtij rrugëtimi.
Brenda këtij grupi përfshihen kapitujt që kanë të bëjnë me:
Lëvizjen e lirë të mallrave (kapitulli 1),
Lirinë e lëvizjes së punonjësve (kapitulli 2),
Të drejtën e themelimit dhe ofrimin e shërbimeve (kapitulli 3),
Lëvizjen e lirë të kapitalit (kapitulli 4),
Të drejtën e kompanive (kapitulli 6),
Pronësinë intelektuale (kapitulli 7),
Politikat e konkurrencës (kapitulli 8),
Mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetit (kapitulli 28).
Në tetor të 2024-ës, gjatë kohës që Hungaria mbante presidencën e Bashkimit Europian, Shqipëria hapi zyrtarisht grupkapitullin e parë dhe më të rëndësishëm, atë të kapitujve “Themelorë”, që prekin drejtësinë, administratën dhe shtetin e së drejtës.
Ndërsa pak javë më pas, më 17 dhjetor u çel grupkapitulli i marrëdhënieve me jashtë, me bisedimet për politikën e jashtme dhe sigurinë.
Top Channel