Negociatat BE-SHBA për tarifat, Von der Leyen: Nëse bisedimet dështojnë do taksojmë gjigantët amerikan të teknologjisë

11/04/2025 16:28

Bashkimi Evropian është i përgatitur të vendosë taksa ndaj gjigantëve të teknologjisë amerikane nëse bisedimet me presidentin amerikan, Donald Trump dështojnë për të ulur tarifat për mallrat evropiane, tha presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

“Ne po zhvillojmë masa hakmarrëse”, tha Ursula von der Leyen, të cilat potencialisht përfshijnë taksimin e të ardhurave nga reklamat dixhitale të kompanive si Meta, Google dhe Facebook. “Ka një gamë të gjerë kundërmasash… në rast se negociatat nuk janë të kënaqshme”, shtoi ajo.

BE-ja tha dje se do të ndalonte tarifat e saj hakmarrëse ndaj SHBA-së për 90 ditë, një ditë pasi Trump njoftoi gjithashtu një pauzë 90-ditore për tarifat e tij “reciproke”.

Blloku i 27 vendeve ishte goditur nga tre grupe tarifash amerikane: tarifa 25% për çelikun dhe aluminin; Taksa 25% për makinat dhe 20% tarifë “reciproke” për të gjitha mallrat e tjera.

Pavarësisht ndalimit të tarifës “reciproke”, Trump ende po vendos një tarifë prej 10% për dhjetëra partnerë tregtarë, përfshirë BE-në.

Ndërsa tarifat e SHBA-së kanë shënjestruar mallrat e huaja, BE-ja po shqyrton përdorimin e një “bazuka” tregtare për të goditur kompanitë amerikane të shërbimit dhe në veçanti gjigantët e teknologjisë.

“Një shembull është që ju mund të vendosni një taksë mbi të ardhurat nga reklamat e shërbimeve dixhitale”, tha von der Leyen.

Në një deklaratë të enjten, von der Leyen tha se BE-ja ishte “e përkushtuar ndaj negociatave konstruktive” me SHBA-në, por se “kundërmasat e saj do të fillojnë” nëse bisedimet dështojnë.

Maros Sefcovic, komisioneri i tregtisë i bllokut, do të udhëtojë në Uashington të dielën për të “provuar dhe nënshkruar marrëveshje”, tha më herët një zëdhënës.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta