
Një burrë gjendet i pajetë në banesën e tij. Dëshmitarët dhe provat nxjerrin autor të krimit djalin, një 16-vjeçar që rrezikon dënimin me vdekje.
12 burra në sallën e gjyqit duhet të marrin vendimin për fatin e adoleshentit. Por, a mjaftojnë provat për të arritur në konkluzione? Po sikur dëshmitarët të kenë gabuar?! Kujt duhet t’i besojmë?
Ky subjekt i përket një vepre sa amerikane, po aq ndërkombëtare dhe aktuale, dhe vjen si premierë absolute në Teatrin Kombëtar, nën regjinë e Albert Mingës.
Albert Minga: “E kam quajtur një dramë atipike, aktorët vijnë në rrethana të tilla që nuk e njohin njëri-tjetrin. Nuk besoj se është e vështirë për të kuptuar mesazhet, aq më shumë që sot në shoqërinë shqiptare, kryefjalë është bërë drejtësia”.
Përmes një kasti të përzgjedhur aktorësh, drama zbulon përvojat personale, diskriminimin dhe emocionet që pengojnë sistemin e drejtësisë.
Alfred Trebicka: “Për mua mesazhi kryesor është që njerëzit duhet të jenë tolerant dhe duhet të përdorin arsyen dhe argumentin në vendimmarrje”.
Viktor Zhusti: “Këtu nuk luftohet për të gjetur është apo jo fajtor një fëmijë, babai i të cilit u gjet me një thikë të ngulur në gjoks. Problemi është më i rëndë: t’i thërrasim arsyes njerëzore”.
12 burra të zemëruar rikthen në skenë aktorin Niko Kanxherin, që rrëfen emocionet përballë publikut që e ka duartrokitur gjithnjë.
Niko Kanxheri: “Ardhja në këtë shfaqje më duket sikur është për herë të parë, isha i trembur si një fëmijë se u bënë vite që nuk dilja në skenë”.
Drama që sfidon logjikën dhe emocionin fton artdashësit në teatër në data 9 deri në 13 prill.
Top Channel