Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thirrur më 15 prill seancën për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.

Sipas rregullores së Kuvendit, punimet e seancës konstituive, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, i drejton deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë.

Në seancën e parë themelohet një komision i verifikimit të mandateve dhe kuorumit e që pasohet me betimin e deputetëve.

Në këtë seancë do të bëhet edhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës që sipas Kushtetutës së Kosovës i takon të propozohet nga grupi më i madh parlamentar, në këtë rast është Lëvizja Vetëvendosje e cila nga zgjedhjet e nëntë shkurtit siguroi 48 mandate e për tu zgjedhur i duhen 61 vota.

Në seancën konstituive zgjidhet edhe kryesia e parlamentit e përbërë prej pesë nënkryetarëve. Tre subjektet më të mëdha parlamentare propozojnë nënkryetarët e tyre dhe dy nënkryetarë duhet të jenë nga komunitetet pakicë. Njëri prej tyre duhet të jetë nga radhët e komunitetit serb dhe njëri nga komunitetet e tjera.

Seanca konstituive përfundon me zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Pas formimit të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, Presidentja fton fituesin e zgjedhjeve që brenda 15 ditësh të prezantojë para kuvendit përbërjen e qeverisë. Për t’u zgjedhur qeveria duhet 61 vota pro, që nga zgjedhjet e nëntë shkurtit asnjëra prej partive nuk i ka të siguruara.

Nëse partia e parë nuk ka votat e mjaftueshme, atëherë presidentja i jep kohë dhjetë ditë ndonjë partie apo koalicione tjetër që konsideron se ka numrat e mjaftueshëm për të formuar qeverinë.

Në rast se edhe ky version dështon, atëherë vendin shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në zgjedhjet e nëntë shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje siguroi 48 mandate, PDK-ja 24 vende, Lidhja Demokratike e Kosovës 20 vende dhe AAK-NISMA 8 vende. 20 vendet e tjera janë të garantuara për komunitetet pakicë.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta