Ceremonia e fronëzimit, Kryepeshkopi Joan: Forcimi i unitetit brenda kishës, nevojë e domosdoshme për të arritur qëllimin

29/03/2025 13:00

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka tashmë një Kryepeshkop të ri.

Në një ceremoni madhështore këtu Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, u fronëzua sot Fortlumturia e Tij, Joani.

Në mesazhin e tij të parë, Kryepeshkopi Joani, premtoi ruajtjen e traditës së Shenjtë dhe theksoi rëndësinë e forcimit të unitetit brenda Kishës.

“Falënderojmë martirët e lirisë që përhapën dritën e besimit. Diktatura shkatërroi muret e jashtme të kishave, por nuk mundi të shkatërrojë zemrat e besimit.

Në kohë kritike Perëndia vizitoi kishën tonë, nderoj kujtimin e paraardhësve të mi, në listën e gjatë përmend dy personalitete të shquara. Im Zot Fan Noli, ishte njeriu i duhur. Ai ishte pajisur nga perëndia me talente të jashtëzakonshme, dha kontribut për ndërgjgjësimin kombëtar. Në kohë rekord ai pajisi kishën me librat kryesorë.

Në fund të shek XX ku kisha ortodokse u gjet e rrënuar, perëndia dërgoi një tjetër person të ndritur kryepeshkopin Anastas që bëri të mundur rindërtimin e saj. Predikimi i tij ka qenë dashuria dhe respekti për çdo qenie njerëzore, frymë që duhet të ruajmë

T’u themi faleminderit e t’u jemi mirënjohës. Sa më shumë mirënjohje të kemi aq më afër do jetë Perëndia te ne.

Çdo kohë ka patur sfidat e saj. Shekulli ku jetojmë me teknologjitë e reja, paraqet sfida të reja dhe nga këto nuk përjashtohet as kisha jonë. Na duhet të përballemi jo vetëm për tu mbrojtur por edhe të gjejmë zgjidhje. Përpjekja dhe përqendrimi ynë, ruajtja dhe mbrojtja nga Perëndia, forcimi i unitetit brenda kishës nevojë e domosdoshme për të arritur qëllimin e saj”, tha Kryepeshkop Joani.

Fortlumturia e Tij kujtoi Fan Nolin si njeriun që kontribuoi në ndërtimin e  Autoqefalisë dhe teksteve kishtare në gjuhën shqipe si dhe kryepeshkopin e ndjerë Anastas për ringritjen e Kishës pas rrëzimit të diktaturës.

Dhjetëra besimtarë nga Tirana dhe i gjithë vendi ndoqën këtë ceremoni historike, që ngjalli interesin e mediave ndërkombëtare.

Kryepeshkopi i ri pranoi urimet e Patriarkut Ekumenik, përfaqësuesve nga të gjithë kishat orthodhokse në mbarë botën si dhe nga Vatikani.

Mes politikanëve të pranishëm, fjalën e mori Kreu i Shtetit Bajram Begaj.

“Nga kjo katedrale e shenjtë le të përcjellim sot një mesazh që tejkalon kufijtë e besimit dhe fton të gjithë qytetarët e vullnetit të mirë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të përulur, më të bashkuar, më të vëllazëruar”, tha ai.

Që prej vitit 1998, Fortlumturia e Tij, Joani ishte mitropolit i Korçës dhe tashmë Sinodit të Shenjtë i duhet të mblidhet për të zgjedhur një mitropolit të ri.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta