
Historia tjetër në “Për Shqiptarët” është historia e dhimbshme e një babai i cili për fat të keq iku nga kjo botë duke lënë pas gruan e tij Marien dhe dy vajzat e vogla.
Të dy ëndërronin një shtëpi për dy vajzat e tyre Arjonën dhe Enidën.
Historia e trishtë e tyre rrëfehet përmes një letre prekëse nga babai Vladimiri.
Letra e Vladimirit
Sot, më shumë se kurrë, do të doja të isha këtu, i ulur krah gruas sime të mirë Maries, që e kam lënë në ditë të vështira.
Do të doja të isha, pranë dy vajzave të mia, Arjonës dhe Enidës, që të ndjenin pak ngrohtësi e siguri, që veç babai mund t’ua japë.
I kam lënë jetime dy të voglat e mia.
Por unë ndjej se po vazhdoj të jetoj tek ato të dyja, tek sytë e tyre.
E pikërisht, përmes syve të tyre dua t’ju tregoj sot për hallet, sakrificat, mundimet që kalova në jetë, derisa arrita të krijoj familjen time të bukur… si dhe për dhimbjen e madhe që ju shkaktova, padashje, me sëmundjen dhe ikjen time nga kjo jetë.
***
U përplasa me vështirësitë që të sjell jeta që kur isha fare i vogël. Jetoja me prindërit në një shtëpi të vogël në fshatin Gjinar, ku mësova që herët se burrëria nuk matet me fjalë, por me punë, me sakrifica dhe mbi të gjitha, me dashurinë për familjen.
Fati nisi të më ndrijë që prej ditës kur njoha Marien, gruan që zemra ma pranoi menjëherë, ndonëse u takuam përmes një shkuesie.
U martuam pas një viti. E donim njëri-tjetrin thjesht, pa fjalë të mëdha, por me përkushtimin e atyre që e dinë se dashuria mëkohet pak e nga pak, deri në përjetësi.
Ardhja në jetë e vajzës sonë të parë, Arjonës, na e mbushi shpirtin plot. Ndjeheshim të lumtur në mes të 100 halleve e pamundësive ekonomike që kishim. Kjo lumturi që na u shtua tre vite më pas, kur Zoti na bekoi me një tjetër engjëll, Enidën.
Por ishim pa shtëpi. Lëviznim nga njëra banesë në tjetrën, ku gjenim qira të lira. Në fillim në Rrëshen e mandej në Lezhë.
Punoja në ndërtim, ku të mundesha e me sa fuqi që kisha, për të siguruar të ardhurat për familjen time.
Rraskapitjen e ditës ma zbraste nga trupi vetëm përqafimi i tyre, sapo kthehesha në shtëpi. Më fërkonin duart e mia të bëra copë nga kallot, e unë ndjehesha babai më me fat në botë.
Ua fshihja brengën e madhe që kisha. Atë brengë ma dinte vetëm Maria, e cila me durim e përkushtim, përpiqej të bënte gjithçka mundej që gjerat të na shkonin mirë brenda mureve të shtëpisë…. Brenda mureve të çdo shtëpije ku ne zhvendoseshim vazhdimisht, si endacakë të mjerë.
E sa më shumë zgjaste kjo gjendje, aq më shumë më rëndonte fakti që unë s’po jua siguroja dot vajzave të mia një shtëpi, nga ku s’do të kishin nevojë të dilnim më.
Bashkë me Marien shpresonim se do t’ja dilnim një ditë. Ëndërronim, flisnim me njëri- tjetrin duke e përshkruar deri në detaje, se si do t’jua rregullonim dhomën, me ngjyra e lodra vajzave tona.
Do të kisha vazhduar të punoja fort, që t’ja arrija asaj dite, për të parë lumturinë e Arjonës dhe Enidës, duke hyrë në shtëpinë e tyre të bukur e të re.
Por shëndeti nisi të më presë në besë.
***
Simptoma e parë që mu shfaqën, nuk i mora shumë seriozisht. Kisha dhimbje koke të forta, turbullim shikimi dhe hera-herës më dukej sikur humbisja mendjen. Por s’kisha kohë të ndaloja. Vazhdoja të shkoja në punë me të njëjtin vrull. Derisa një ditë, ndodhi diçka që më tmerroi. Harrova të merrja Arjonën nga shkolla. Maria më telefonoi e shqetësuar dhe unë u trondita. Si mund ta harroja vajzën time? Çfarë po ndodhte me mua!?
Ekzaminimet nëpër spitale ma zbardhën të vërtetën e hidhur: kisha tumor në kokë. Ishte i pashërueshëm. Maria dhe vajzat më shihnin me shpresë, por unë e ndjeja që koha ime po mbaronte. Operacioni që më bënë… nuk do të më shpëtonte dot.
Unë nuk mbijetova dot. Ika me shpirtin e bërë copë nga ankthi, frika, dhimbja që po lija në mëshirë të fatit dy vajza të vogla, po lija vetëm Marien me një peshë shumë më të madhe se ajo që mezi e kishim mbajtur të dy bashkë.
Ika e i lashë pa shtëpi e katandi.
***
Më thoni o njerëz të mirë, a mund të bjerë në paqe shpirti i një babai si unë!?
A mund të prehem në këtë botë ku jam, për aq kohë sa familja ime është në mes të katër rrugëve!?
Shikojeni në sy Arjonën dhe Enidën dhe aty do të ndjeni dhe lutjen time: ndihmoini fëmijët e mi!
Realizojuani ëndrrën që unë s’pata kohë t’jua u jap!
Koha nuk qe në favorin tim.
Kohën, vetëm ju mund ta ktheni sot në fatin e dy vajzave të mia.
Top Channel