
31 marsi është dhe data e fundit ku të gjithë ata qytetarë të cilët kanë patur të ardhura bruto nga punësimi 1.2 milionë lekë në 2024, e kanë detyrim të dorëzojnë deklaratën e të ardhurave.
Risitë e këtij viti janë ulja e kufirit të nivelit të ardhurave vjetore të deklaruesve dhe afrimi i afatit të dorëzimit.
Drejtoresha e Proceseve të Biznesit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Rozana Çelmeta shpjegon për Top Channel se çfarë ka ndodhur deri më tani dhe sa qytetarë e kanë plotësuar këtë deklaratë?
“Aktualisht kemi 85 mijë individë që tashmë e kanë dorëzuar deklaratën e tyre dhe ndërkohë presim në ditët në vijim edhe individët e tjerë të cilët në bazë të këtij ligji kanë detyrime për të deklaruar. Nuk ka pasur problematika sa i takon këtij procesi përveç disa momenteve të cilat janë sistemuar menjëherë”- u shpreh Rozana Çelmeta, drejtore e procesit të biznesit.
Janë rreth 140 mijë individë sipas Tatimeve që duhet të dorëzojnë deklaratën e të ardhurave. Por çfarë duhet të kenë parasysh si deklaruesit e mëparshëm por dhe ata të rinj?
“Janë subjekt deklarimi të gjithë individët që pavarësisht se nuk plotësojnë asnjë nga kriteret kanë realizuar të ardhura të patatuara mbi 50 mijë lekë.”
Përveç individëve që kanë të ardhura bruto nga dypunësimi mbi 1.2 milionë lekë, ka edhe kategori të tjera të cilat duhet të plotësojnë deklaratën. Kryesisht Individët e dypunësuar por dhe ata Individët që kanë realizuar mbi 50 mijë lekë të ardhura por që nuk janë tatuar në 2024 ku këtu përfshihen të ardhurat nga qiraja si booking apo edhe Airbnb.
“Për të gjithë individët që e kanë një llogari individuale në sistem mjafton të gjenerojnë divan dhe duke pasur kujdes me periudhën 2024 dhe ajo do shfaqet e paraplotësuar me të dhënat që merren nga listëpagesa. Ndërsa individët që s’kanë qenë të regjistruar në sistem plotësojnë një formular dhe në kohë reale ju krijohet llogaria dhe procedura vijon e njëjtë. Kemi vendosur dhe një shërbim të ri në faqe interneti dhe u mundëson çdo individi që të njihet me detyrimin për të deklaruar ose jo Diva. Duke filluar nga pyetja e parë mund ta marri përgjigjen nëse është subjekt i deklarimit dhe nëse jo vijon me disa pyetje të thjeshta.”
Plotësimi i kësaj deklarate i shërben Administratës Tatimore për të bërë kontrolle për evazion fiskal si dhe për të hetuar pasurinë.
Top Channel