
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, reagoi lidhur me vrasjet e fundit që kanë tronditur vendin, duke theksuar se duhet analizë e veprim institucional për hetimet.
“Fillimisht duhet të ndaj shqetësimin në lidhje me katër vrasjet e ditëve të fundit. Ftoj institucionet të hetojnë rastet në mënyrë që të vihet drejtësi e të parandalohen rastet e tjera. Gjithë vendi është tronditur e lënduar nga kjo seri e vrasjeve që duhet të ndalet e dënohet. Na duhet analizë e veprim institucional e reflektim shoqëror“, tha Kurti në mbledhjen e qeverisë.
Në tre ditë, katër persona kanë humbur jetën nga të shtënat me armë zjarri në Kosovë. Mbrëmjen e kaluar, një person humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur në Prishtinë, ndërkohë që pritet zbardhja e plotë e ngjarjes.
Ndërsa në Vushtrri, më 23 mars një 19-vjeçar u qëllua për vdekje me armë zjarri nga një bashkëmoshatar i tij. Pa kaluar 24 orë, një 58-vjeçar vrau me armë zjarri një grua 42-vjeçare e pastaj vrau edhe vetën në fshatin Stanofc.
Top Channel