
Jo vetëm turizëm sezonal, por tashmë edhe gjithëvjetor. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se edhe këtë fillimvit interesi i të huajve për të vizituar vendin tonë është rritur ndjeshëm, edhe në këtë periudhë të vitit.
Mbi 1 milion të huaj u futën në territorin shqiptar nga 970 mijë një vit më parë.
Janë kryesisht turistë nga Evropa që preferojnë Shqipërinë, ku 96% e hyrjeve të shtetasve të huaj gjatë shkurtit 2025 janë nga Evropa. Ndalur këtu janë shtetasit nga Evropa Jugore që përbëjnë 83% të hyrjeve nga kontinenti evropian, ndjekur nga Evropa Perëndimore me 6%.
Një dyfishim i turistëve është vënë re edhe në kontinentet e Afrikës dhe Azisë. Në periudhën janar-shkurt të vitit 2025, numri i turistëve afrikanë arriti në 3 mijë e 142. Po ashtu, numri i të huajve nga Azia e Jugut arriti në 4 mijë e 562, dhe ai Lindor në 7 mijë e 324.
Të huajt Shqipërinë e vizitojnë më së shumti për arsye personale, ku dominojnë vizitat tek të afërmit, por edhe pushimet.
Nga ana tjetër, nuk kanë munguar as daljet e shqiptarëve jashtë vendit përmes tokës, detit apo ajrit. 1.26 milionë shqiptarë në 2 muaj zgjodhën vendet e tjera për të pushuar, punuar, ose për arsye personale.
Një pjesë e mirë e udhëtarëve që hyjnë e dalin në Shqipëri regjistrohen edhe përmes rrugëve detare. Në 2024, nga 4 porte në vend, u regjistruan 1.6 milionë udhëtarë. Ndërsa në rritje janë edhe shifrat këtë fillimvit. Vetëm në Portin e Durrësit këtë fillimvit u regjistruan 79 mijë pasagjerë.
Top Channel