
Merr një maskë me vete dhe eja të shijosh Karnavalet. Është kjo ftesa që vjen nga artistët e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Opereta e kompozuar nga Avni Mula rikthehet në skenë në datat 24-25 mars me regjinë e vajzës së tij, Inva Mulës dhe nën dirigjimin e Elda Laros.
Nga qyteti i zanafillës, aty ku la gjurmë të thella në kulturën artistike korçare, Karnavalet do të gjallërojnë kryeqytetin me linjën e bukur të dashurisë dhe“pazaret e krushqisë” që na çojnë pas në vitet 30, falë skenografisë dhe kostumografisë së pasur.
Me një humor të hollë që premton të argëtojë artdashësit, kjo operetë vjen nën interpretimin e Vikena Kamenicës, Solen Allës, Klodjan Kaçanit, Dorina Selimajt, Ivana Hoxhajt e shumë artistëve të tjerë.
“Kjo operetë sjell vërtet mentalitetin e atyre viteve. Olimbinë gjatë gjithë jetës sime e kam parë në shumë qoshka të mëhallës në Korçë. Ky rol vjen për mua me shumë natyralitet dhe me shumë dashuri padiskutim”, shprehet mezzo sopranoja, Vikena Kamenica.
“Loni është një rol që nxjerr në pah njerëzit materialist, që shohin vetëm interesat e veta, që lidhen me një politikë të korruptuar. Madje, ka një moment ku Loni e flet hapur mendimin e tij për familjen Samarxhi dhe për këta lloj njerëzish. ‘Korça nuk jeni ju, sot që Korça vuri maskat për dëfrim, ju i hoqët maskat tuaja”, thotë tenori Klodjan Kaçani.
Top Channel