
Kuqezinjtë u rikthyen në Tiranë mbrëmjen e së shtunës pas një seance të lehtë stërvitore që zhvilluan në Londër përpara se të niseshin me pjesën e lojtarëve që luajtën të gjithë ndeshjen e pare të veçuar dhe lojtarët e tjerë në një seancë të plotë.
Pasditen e sotme do të zhvillohet seanca e fundit stërvitore nga ku trajneri do të shoh edhe gjendjen e ekipit për të ndërtuar një tjetër formacion për t’u përballur me Andorrën mbrëmjen e së hënës në Arenën Kombëtare ku kuqezinjtë në një fare mënyre janë dënuar për të fituar me një prej skuadrave më të dobëta të grupit.
Sa i përket formacionit të mundshëm, trajneri këtë here ndryshe nga ndeshja në Wembley, do të ketë detyra më sulmuese për lojtarët, ndërkohë që pritet të startojë nga formacioni bazë Armando Broja, Ernest Muçi dhe minuta më tepër për Arbër Hoxhën apo Medon Berishën në mesfushë, si për të korrigjuar një lojë jo të mirë të Ramadanit në mesfushë.
Sa i përket repartit të mbrojtjes ai do të jetë disi më i plotë me një rikuperim edhe më të madh të Ardian Ismajlit dhe Marash Kumbullës, por ndaj një kundërshtari të tillë si Andorra dhe nga paraqitja shumë e mirë e Gjimshitit dhe deri diku Ajetit nuk mund të ketë ndryshime, vetëm nëse do të zgjidhet për arsye rifreskimi. Ndërkohë lajme të mira vijnë edhe për gjendjen e Strakoshës, i cili mori një dëmtim që i ndërpreu ndeshjen në Angli, por tashmë është rikuperuar plotësisht.
Gjithsesi, një ndeshje si kjo, ndaj një kundërshtari ku ne duhet të marrim përsipër frenat e lojës dhe të kontrollojmë gjithçka rëndësi shumë të madhe do të ketë edhe publiku, i cili pritet të jetë i shumtë në debutimin e kuqezinjve në Tiranë për këto eliminatore. Deri më tani, janë rreth 15 mijë bileta të shitura ndërkohë që të gjithë të tjerët do të kenë mundësinë ta ndjekin këtë ndeshje si gjithmonë drejtpërdrejtë në DigitAlb, duke filluar nga ora 20:45.
Top Channel