Kërkoi në Gjykatën e Lartë heqjen e detyrimit të paraqitjes, Berisha rendit argumentet: Si mund të intimidoja dëshmitarët kur hetimi ishte mbyllur

21/03/2025 16:13

Sali Berisha troket sërish në Gjykatën e Lartë. Kësaj radhe për heqjen e detyrimit me paraqitje vendosur në 3 janar, ditë në të cilën ish kryeministri la arrestin shtëpiak pas gati një viti i mbyllur në banesë.

Kërkesa për  zhbërjen e detyrimit me paraqitje është regjistruar këtë të premte dhe siç bëjnë me dije burimet, në rekurs ish kryeministri rendit argumentet.

Berisha i sjell në vëmendje gjykatës së lartë qëndrimin e prokurorëve të posaçëm që kanë deklaruar se ndaj ish funksionarit duhet aplikuar një masë personale, pasi ekziston mundësia që ai të intimidojë dëshmitarët përderisa po shprehet kundër gjykatës antikorrupsion dhe SPAK-ut..

Avokatët e konsiderojnë këtë qasje të prokurorëve të çështjes si një përpjekje për t’i mbyllur gojën kreut të opozitës, aq me tepër shkruhet më tej që liria e shprehjes është e garantuar me ligj. Gjithsesi në këtë pikë avokatët shtojnë se  qëndrimet e Berishës janë kundër gjyqtarëve të caktuar dhe prokurorëve të caktuar dhe jo kundër gjykatës dhe SPAK.

Ndërsa për intimidimin e dëshmitarëve ish-kryeministri i thotë gjykatës, se hetimi është mbyllur dhe provat tanimë janë dorëzuar në gjykatë. Asnjë dëshmitar që është pyetur nga SPAK nuk ka pretenduar diçka të tillë thuhet më tej. Në rekurs ish kryeministri kërkon heqjen e detyrimit me paraqitje edhe me argumentin se gjyqtari i apelit që i rrëzoi arrestin shtëpiak nuk ishte kompetent, sepse këtë verdikt duhet ta shpallte gjyqtari paraprak.

Dosja Partizani është në fazën paraprake dhe ende nuk ka një vendim nëse do kalojë në gjykim apo jo. Mes tetë të pandehurve është edhe emri i ish kryeministrit nën akuzë për korrupsion, i dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe biznesmeni Fatmir Bektashi

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta