
Një aksident me vdekje ndodhi mbrëmjen e së dielës në aksin “Pogradec-Qafë Thanë”.
Sot është arrestuar autori i dyshuar që përplasi me makinë 55-vjeçarin dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes.
Njoftimi:
Si rezultat i kontrolleve intensive, kapet dhe vihet në pranga 29-vjeçari, i cili pasditen e djeshme, me automjetin që drejtonte, aksidentoi me pasojë vdekjen një 55-vjeçar dhe u largua nga vendi i aksidentit.
Në vijim të dy informacioneve të dhëna mbrëmjen e djeshme, për aksidentin në aksin rrugor “Pogradec-Qafë Thanë”, bëjmë me dije se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor kanë kapur dhe ndaluar shtetasin D. J., 29 vjeç, banues në Pogradec.
Shtetasi D. J. dyshohet se dje, rreth orës 18:45, në aksin rrugor “Pogradec-Qafë Thanë”, me automjetin që drejtonte, aksidentoi me pasojë vdekjen shtetasin I. M., 55 vjeç, dhe u largua nga vendi i aksidentit, me këtë automjet.
Automjeti i shtetasit D. J. u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel