
“Bota e Re” është koncerti Instrumentalo-Simfonik, që vjen këtë të diel në mbrëmje për artdashësit në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, nën interpretimin e violonçelistit të talentuar Klaudio Zoto.
Shfaqja do të kulmojë me Variacione mbi një temë Rococo nga Tchaikovsky, që ai e krijoi si një homazh për kompozitorin e tij të preferuar, një vepër që ndërthur elegancën dhe ndjeshmërinë në tingujt e violonçelit.
“Është hera e tretë në këtë teatër dhe këtë herë rikthehem me variacione me një temë Rococo nga Tchaikovsky. Jam shumë i lumtur që e sjellim të dielën për publikun shqiptar. Është një vepër shumë e veçantë, sepse Tchaikovsky ka marrë inspirim nga Mozartit dhe nga stili elegant rokoko, duke e bashkuar me stilin e vetë sentimental rus. Në këtë vepër, publiku dëgjon tre stinët, të bashkuara në një”, u shpreh Klaudio Zoto.
Pasionin për violonçelin e nisi që në moshën 6-vjeçare dhe tani, me talentin e tij, Zoto ka prekur skenat ndërkombëtare. Ai rikthehet nga Gjermania në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit për të dhuruar emocione për publikun shqiptar.
Nën dirigjimin e Sergio Alapont, pjesë e koncertit do të jenë dhe veprat më të njohura nga Glinka dhe Dvorak, ku përmes notave dhe tingujve ndërthuret nostalgjia e së kaluarës me shpresën për një të ardhme më të ndritur.
Top Channel