
Gjykata e Elbasanit ktheu pas dosjen e tre të akuzuarve si spiunë rusë dhe i kërkoi prokurorisë që të kryejë hetime shtesë.
Një nga detyrat që urdhëroi gjykata është të klasifikohet nëse uzina ushtarake e Cekinit në Gramsh është apo jo objekt i rëndësisë së lartë prej nga ku mund të merren sekrete.
Kjo do të caktojë më pas nivelin e informacioneve që po merrnin tre të rinjtë Mikhail Zorin, Svetlana Timofeva dhe Fedir Alpatov që akuzohen për sigurim të informacionit, ndryshe spiunazh.
Të tre ata po përballen me drejtësinë prej gushtit 2022, Zorin mbahet nën arrest shtëpie, kurse dy të tjerët detyrim paraqitje.
Gazetarja Anila Hoxha raporton për Top Channel se hetimet për të rinjtë që këmbëngulin se janë blogerë u mbyllën në prill në 2024 dhe gjatë kësaj kohe janë mbajtur seanca paraprake me dyer të mbyllura të cilat u mbyllën pa e kaluar çështjen në themel.
Prokuroria si provë të fortë ka rrëfimin e Zorin qe thotë se u rekrutua nga FSB gjatë një proteste ku kërkonin lirimin e liderit të opozitës Aleksei Navalny.
Prokuroria përmend se të rinjtë kanë fotografuar edhe zona fë tjera të rëndësishme si digën e ujëmbledhësit të Bovillës, ish-aeroportin ushtarak të Gjadrit, Zallherrin si dhe antena satelitore në Kepin e Rodonit.
Top Channel