“Demokratët e Elbasanit, do t’i përfaqësoj nën siglën e ‘Shqipëria Bëhet'”/ Sula: Pas medaljes që m’u dha si spakist…

13/03/2025 09:52

Deputeti demokrat, Dashnor Sula, pasi hoqi dorë nga kandidimi nën siglën e PD-së, ka nisur punën si kandidat për zgjedhjet e 11 Majit nën logon e Nismës Shqipëria Bëhet.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ai tregon se kryetari i kësaj partie, Adriatik Lapaj, i bëri ftesën një ditë më parë. Shqipëria Bëhet dhe bëhet vetëm me djem të rinj, shkruan Sula, ndërsa thekson se nuk ishte zgjedhja e tij të largohej nga Partia Demokratike.

“Jam i lumtur t’u njoftoj se demokratët e Elbasanit do t’i përfaqësoj në Parlamentin e ardhshëm nën siglën e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.
U jam shumë mirënjohës Adriatik Lapaj, Endri Shabani dhe Pano Soko, këtyre djemve të rinj dhe të papërfolur, që më ftuan të kandidoj në zgjedhjet e 11 majit. Unë i falenderoj dhe shpreh mirënjohje edhe për drejtuesit e forcave te tjera politike që për etikë nuk po i përmend që më ftuan të bashkohesha në ekipin e tyre pas medaljes që më dhanë si “SPAKIST”. Mendoj se Shqipëria Bëhet dhe bëhet vetëm me djem të rinj.

Nga sot, do të nis takimet me përkrahësit e mi, të cilët edhe në një ditë shumë të vështirë si ajo e djeshmja, më qëndruan pranë dhe më mbështetën.
U kërkoj ndjesë të gjithë atyre që nuk kam arritur tu përgjigjem, ju falenderoj përzemërsisht për fjalët.

Ma besoni, nuk ishte zgjedhja ime të largohesha nga Partia Demokratike. I kam dhënë asaj partie 20 vite të jetës sime politike, pa i kërkuar asnjë ofiq në kohën kur ishte në pushtet.

Kam sakrifikuar kohën time, i kam hyrë në hak familjes sime dhe fëmijëve të mi, për të punuar çdo ditë për PD-në, por nuk mund të lejoja që kontributi im të hidhej në koshin e plehrave vetëm se kam shprehur mbështetjen time të palëkundur për institucionet e reformës në Drejtësi. Po e them që tani, SPAK-ist do të jem edhe në Parlamentin e ardhshëm sepse besoj që po i bën vendit një shërbim që kjo klasë politike nuk ka arritur t’ia bëjë në 35 vite.

Na priftë e mbara deri në 11 Maj!”

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta