Armatimet, çekët me sytë nga Uzina e Mjekësit! Partneritet me Shqipërinë në mbrojtje, zyrtarja: Projektet…

06/03/2025 17:21

Zv/presidentja e Industrisë së Mbrojtjes dhe Sigurisë së Republikës Çeke, Kristýna Helm, foli në një intervistë me Angelo Harunin për “Top Talk Economy” rreth angazhimit që kompanitë çeke kanë ndërmarrë në fushën e mbrojtjes në Shqipëri.

Ajo deklaroi interes për investime të përbashkëta në ish-uzinat e prodhimit të armëve, ndërsa shprehu gatishmërinë për të ndihmuar Shqipërinë me eksperiencë dhe klientelë.

Intervista e Plotë: 

Angelo Haruni: Cilat janë objektivat kryesorë të Industrisë Çeke të Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe çfarë do prezantoni në këtë forum bashkëpunimi? Për cilët sektorë specifikë po kërkoni bashkëpunim me partnerët nga Shqipëria dhe Kosova?

Kristýna Helm: Mendoj se mesazhi kryesor që dua të përcjell është se objektivi i kësaj vizite është një partneritet. Veçanërisht në këtë botë të trazuar, mbrojtja e aleancës është po aq e fortë sa edhe partnerët individualë. Ndaj industria çeke e mbrojtjes ka shumë për të ofruar në këtë drejtim dhe duam të krijojmë partneritet me shqiptarët që po rrisin në mënyrë të vazhdueshme shpenzimet për mbrojtjen. Dhe sepse kemi shumë për të ofruar, nga segmentet tradicionale si mjetet, tek sistemet e mbrojtjes ajrore, radarët, e deri tek zgjidhje softuerike shumë specifike për analiza të detajuara, për emigrantët, etj. Kjo është përbërja e delegacionit tonë sot.

Angelo Haruni: A janë kompanitë çeke të interesuara gjithashtu për të bërë investime direkte në fabrika prodhimi? Sepse nga nisja e luftës në Ukrainë, ka pasur bisedime për të ringjallur industrinë e armatimeve në Ballkanin Perëndimor.

Kristýna Helm: Padyshim. Nuk mund të bësh biznes në mbrojtje pa pasur partnerë lokalë. Kjo është një gjë e ditur për industrinë çeke të mbrojtjes, e cila eksporton 90% të prodhimit në të gjithë botën. Duhet të dish specifikat e klientëve të ndryshëm. Dhe e dimë që përfaqësimi i fortë lokal është jetik për çdo prodhim dhe biznes të suksesshëm. Kompanitë çeke janë këtu të vendosura në Shqipëri me partnerë lokalë dhe po konsiderojnë edhe transferimin e teknologjive. Padyshim jemi të interesuar në rijetëzimin e prodhimit të armatimeve këtu. Ne kemi kapacitetet, kemi njohuritë, kemi një prezencë të fortë dhe akses në tregje. Sepse kur ringren një industri armatimesh sot, nuk mundet që vetëm një shtet të blejë të gjithë prodhimin tënd. Duhet të mbështetesh në eksporte dhe prandaj duhet një partner i fortë që e di se si funksionojnë eksportet. Dhe që të sigurohet që prodhimi do të jetë në kapacitetet e eksportit. Këtë gjë patjetër që industria çeke mund ta ofrojë.

Angelo Haruni: Në terma praktikë, po konsideroni ndarjen e patentave, teknologjive dhe njohurive specifike, apo do të kërkoni të ngrini edhe kompani këtu, ndoshta në bashkëpunim me kompani të tjera shtetërore apo private këtu në Shqipëri? E di që kompanitë çeke kanë bashkëpunime të tilla në Hungari për shembull.

Kristýna Helm: Ekzaktësisht. Mendoj se është më shumë opsioni i dytë. Veçanërisht për prodhimin e armatimeve të duhen shumë më tepër se transferimi i njohurive dhe krijimi i partneriteteve të vogla. Nevojitet ekspertiza se si të ngrihet linja e prodhimit, si ta mirëmbash dhe sigurisht eksporti. Mendoj se partnerët çekë janë gati të investojnë dhe janë gati të ofrojnë kapacitetet. Por këto kohë ka një varësi edhe nga furnizuesit e lëndëve të para. Dhe pa ekspertizën, njohuritë dhe kontratat me zinxhirët e furnizimit dhe pa akses tek këto materiale, tek baruti, etj., nuk mund të ngresh asnjë lloj prodhimi. Prandaj industria çeke vjen me gjithë këtë paketë, të gjithë këtë kompleksitet zgjidhjesh dhe kërkon të përfshijë Shqipërinë dhe shqiptarët për të ngritur një linjë prodhimi.

Angelo Haruni: A ka ndonjë zonë, vendndodhje apo ish uzina specifike për të cilat jeni të interesuar për momentin?

Kristýna Helm: Në dijeninë time ka një interes për Mjekësin. Duke qenë se industria çeke e armatimeve ka ekspertizë nga kalibrat më të vegjël tek ato më të mëdhenj; kemi disa lojtarë të mëdhenj që prodhojnë në Republikën Çeke. Mund të përmend disa prej këtyre grupeve, si Ekskalibur Army, që i përket grupit CZ, që prodhon armatime të kalibrit të vogël. Këto grupe kanë në zotërim edhe kompani të njohura në botën perëndimore. Kanë prodhues të kalibrave të ndryshëm nga Shtetet e Bashkuara, nga Zvicra, nga Hungaria, etj. Ndaj kjo vjen si një paketë. Dhe këto kapacitete duhen në çdo vend për të ringritur fabrikat e prodhimit, sepse nuk është një proces i lehtë, aspak.

Angelo Haruni: Përmendët që Shqipëria dhe Kosova, si shumë shtete europiane, po rrisin buxhetet e mbrojtjes. Shpenzimet po rriten, dhe do të marrin një peshë më të madhe edhe për shkak të situatës në Bashkimin Europian por edhe si shtete më vete. Në këtë kontekst, me konfliktin që ende vazhdon, ku e shihni potencialin më të madh për kompanitë çeke?

Kristýna Helm: Më lejoni ta shohim nga këndvështrimi tjetër. Kur je duke rritur shpenzimet për mbrojtjen, ky është hapi i parë dhe është një hap i rëndësishëm, papritur ke një buxhet. Por pastaj duhet të mendosh se si do e shpërndash këtë buxhet. Duhet të shohësh teknologjitë dhe kapacitetet. Por gjithashtu duhet të shohësh partnerët, besueshmërinë e tyre dhe fleksibilitetin në përshtatjen me nevojat e tua. Dhe mendoj se këto janë pikat e forta që ka industria çeke, si dhe spektrumi i gjerë i produkteve dhe zgjidhjeve që mund t’u japim klientëve shqiptarë. Kemi diskutuar shumë për armatime dhe prodhim, kemi diskutuar edhe për shumë mundësi në mirëmbajtjen dhe rifreskimin e pajisjeve ushtarake. Kemi kompani të pranishme që mund të rrisin flotën tuaj, psh të Blackhok. Me Helicopter Alliance, mund të ofrojnë zgjidhje më të shpejtë dhe të lirë për mirëmbajtjen e tyre.

Kemi kompani të specializuara për radarë. Republika Çeke është shumë e njohur për radarët. Kemi dy kompani tashmë, Era dhe Retia, që kanë hyrë në tregun shqiptar dhe ka potencial për të rritur këtë bashkëpunim në fushën e radarëve, pasi kemi si sisteme aktive edhe pasive të survejimit. Pastaj kemi një gamë kompanish në fushën e sigurisë kibernetike, softuerëve, analizës së të dhënave të mëdha. Kjo është një temë e nxehtë aktualisht kudo pasi informacioni vjen nga kudo dhe përdoruesi fundor nuk di se çfarë vendimi të marrë, si të procesojë informacionit, kujt t’i besojë. Dhe kjo duhet bërë shpejt. Po flasim për luftra që nuk janë më tradicionale. Nuk kemi arritur ende në formën e re të luftrave, por kemi një kombinim. Ndaj duhen teknologji që mbështesin mjetet tuaja tradicionale, flotën ajrore. Dhe këtu softuerët e teknologjisë së lartë hyjnë në lojë bashkë me kompanitë çeke.

Gjithashtu pistoletat. Grupi Kolt CZ ka në portofolin e tij Çeska Zbrojovka me pistoletat e saj. Kjo është një tjetër fushë me traditë dhe ekspertizë të madhe që mund të ofrojmë. Po ashtu edhe kamionët TATRA, me mbi 170 vite eksperiencë në krijimin e kamionëve me një sistem të veçantë, që mund të përdoren për qëllime të ndryshme dhe shërbim shumë të mirë klienti.

Angelo Haruni: Me kompani si këto që ju përmendët, si TATRA, një nga prodhuesit më të vjetër të automjeteve në botë, tani i përfshirë më shumë në industrinë e mbrojtjes. Por edhe me disa prej prodhuesve të armëve më të njohur në botë, të armatimeve, makinerive të rënda, pajisjeve mbrojtëse, etj., por edhe sigurinë kibernetikë, teknologji dhe radarë, ne e shohim industrinë çeke si një histori suksesi. Dhe Shqipëria do të përpiqet të përsërisë këtë sukses, përmes kompanisë së re shtetërore KAYO, por edhe me disa iniciativa private si TIMAK, që sapo ka hyrë në fushën e makinerive të rënda, me prototipin SHOTA. Bazuar në eksperiencën tuaj, që në fakt është mbi njëqindvjeçare, çfarë sugjerimesh do t’i jepnit industrisë shqiptare që sapo fillon të hedhë hapat e parë?

Kristýna Helm: Së pari përgëzime për këto iniciative dhe për faktin që po mendoni të forconi bazat e industrisë vendase, sepse e shohim në periudha krizash, që ti ke vetëm çfarë ke në territorin tënd. Mund të mbështetesh vetëm mbi prodhimin vendas që ke në territor. Ndaj po bëni një hap të mirë përpara.

Tani, siç e thashë, ushtria shqiptare ka një situatë të ngjashme me shumë ushtri të tjera në shtetet e vogla dhe të mesme. Nuk i absorbon dot të gjitha kapacitetet e industrisë. Dhe nuk mund të ndërtosh një industri të bazuar mbi një ushtri me 9 mijë forca të armatosura. Nëse do ngrije një fabrikë vetëm për të furnizuar ushtrinë tënde nuk do të dilnin llogaritë, ndaj të duhen tregje të eksportit. Për këtë të duhet rrjeti i kontakteve, partneritetet, që zakonisht janë të vendosura nga prodhuesit e tjerë. Këtë industria e ka ndërtuar gjatë 100 viteve, madje tradita jonë shkon përtej kësaj. Eksportet tona shkojnë në mbi 100 shtete të botës dhe industria jonë është shumë e fortë në mundësitë që ka për të mbështetur dhe qenë partnere me industrinë shqiptare, për ta ndihmuar atë të hyjë në tregje. Gjëja e dytë që duhet të keni, krahas këtij portofoli, do të thoja, se është bazë për shitjet dhe për kontaktet që duhet të ndërtoni, duhet marrë reagimi i klientëve fundorë. Dhe kjo është pjesa më e vështirë. Por mendoj për ju, për modelin që keni vendosur, ngritjen e një kompanie shtetërore, mendoj se do të ishte shumë e rëndësishme të merrni reagimet nga klientët fundorë. Por të paktën me këtë model, duke qenë se është shtetërore, do të mund të keni akses dhe kontakt me forcat e mbrojtjes të shumë shteteve të tjera.

Kështu për shembul mund të ndërtoni, në rastin tuaj, mjete të rënda në varësi të nevojave të klientit. Por po ashtu do të duhet të konsideroni se çdo ushtri ka një sistem shumë të ndryshëm operimi dhe çdokujt i duhen ndryshime të vogla. Prandaj kur flasim për mjetet, për shembull, Tatra mund të ofrojnë platforma të ndryshme dhe mund të përshtatet me nevojat e klientëve. Dhe për këtë, duhet gjithashtu të keni ekspertizën e dikujt që tanimë punon me klientë në shtete të huaja, të cilat ju do t’i targetoni dhe të gjeni kontakte që t’ju ndihmojnë të pozicionoheni në këtë tregje. Ndaj mendoj se rruga përpara është partneriteti, partneriteti, partneriteti. Ne flasim për partneritete strategjike. Madje vetë industri e mbrojtjes çeke ka bërë shumë partnerë strategjikë  në vende të tjera, sepse nuk mund të kesh sukses i vetëm, sidomos në botën e sotme.

Angelo Haruni: Shqipëria ka një industri të ngritur të përpunimit të tekstileve, ndaj ka pasur gjithmonë ide për përshtatjen e kësaj industrie për nevojat e mbrojtjes. E di që keni shumë kompani të investuara në pajisje mbrojtjëse, po ashtu edhe në veshje taktikë e me radhë. A ka një treg potencial për këtë segment dhe sa i madh është si treg? Si nëse Shqipëria do të futej e vetme apo në partneritet më këto kompani çeke?

Kristýna Helm: Ka gjithmonë një treg, sidomos kur flasim për veshje dhe pajisje mbrojtjëse, apo mallra të cilat të duhet që t’i rinovosh shpesh në ushtri. Dhe kontratat janë të shpeshta, pasi ushtarët do t’i përdorin këpucët dhe pastaj u duhen çizme të reja. Ata do ta përdorin jelekun antiplumb dhe më pas do të duhet që ta rinovojnë apo të zëvendësojnë diçka. Nuk mund t’i përdorësh për 20 vite. Kjo nënkupton eedhe se me pajisje të tilla në ushtri, pyetja i bëhet përdoruesit, a dëshiron të vazhdojmë me këto që kemi, apo duam diçka më të mirë apo edhe më shumë inovacion? Kjo vlen veçanërisht për këtë segment të tregut që ju përmendët.

Është shumë e rëndësishme t’i paraprish inovacionit, të marrësh vlerësimin nga përdoruesit dhe të mendosh se çfarë mund të ofrojmë. A është propozimi jonë unik në këtë treg? Apo është çmimi i mirë? A është një mall që mund ta prodhojmë shpejt apo duhet të gjejmë zjgidhje inovative. Për shembull mund të flasim për materialet e reja. Veçanërisht së fundmi, është një trend në pajisjet mbrojtjëse, për shembull, tekstile të veçantë që mund të detektojnë funksionet dhe shenjat trupore, e me radhë. Mund të flasim për shumë gjëra të veçanta. Dhe nëse industria juaj do të fokusohet tek këto propozime unike në treg, dhe sidomos nëse do të përdorni më pas ekspertizën e këtyre kompanive të pozicionuara në treg, mendoj se do të keni një shans të madh për të pasur sukses.

Angelo Haruni: A ka një potencial real për kompanitë çeke dhe prodhues të tjerë europianë për të mbushur hapësirat tani që po përpiqemi të ulim varësinë nga furnitorët jashtë BE-së?

Kristýna Helm: Padyshim. Kur shohim tregun europian sot, dhe pastaj vizionin për pavarësi të plotë nga vendet e treta, mund të themi se do të duhen shumë vite për ta vënë në zbatim. Ndaj është në pikëpyetje se sa shpejt mund ta arrijmë diçka të tillë. Ndaj, kur flasim për sigurinë e zinxhirëve të furnizimit në Europë, nuk shohim thjesht kufijtë e BE-së, por shohim edhe interesat dhe partneritetet që kemi ngritur. Kështu, për shembull, një vend tipik ku mund të flasim për siguri furnizimi, është një vend ku kemi një kompani të përbashkët për prodhimin. Dhe kjo është ajo çfarë duam të shohim edhe në Shqipëri? Pra të shohim se çfarë kemi në kontinent gjeografikisht. Dhe është shumë shumë pozitive. Mendoj se nëse Shqipëria, me vizionin për të ngritur një prani të fortë të industrisë së mbrojtjes këtu, mundet patjetër të përfshihet në zinxhirët e furnizimit që ka sot Europa.

Angelo Haruni: Shqipëria është një nga vendet që ka përjetuar drejtpërdrejt rrezikun kibernetik dhe luftën kibernetike, e cila po ndryshon mënyrën se si zhvillohen luftërat në ditët e sotme. Me Iranin, ne përjetuam një kolaps disaditor të pothuajse çdo shërbimi elektronik të ofruar nga qeveria. Të dhënat u publikuan dhe një pjesë e madhe e informacionit të qytetarëve shqiptarë u ekspozua. E di që siguria kibernetike dhe mbrojtja nga kjo luftë elektronike po bëhen gjithnjë e më shumë një nga objektivat kryesore të industrisë së mbrojtjes. Si është inovacioni nga kompanitë çeke të teknologjisë në këtë fushë?

Kristýna Helm: Shumë i fortë. Dhe kjo vjen nga përvoja me tregjet tashmë të konsoliduara, veçanërisht me shërbimet e inteligjencës në mbarë botën. Po flasim për vende ku inteligjenca përdor teknologji të avancuara dhe disa prej tyre janë furnizuesit tanë të teknologjisë, për të cilët jemi shumë mirënjohës.

Kemi këtu një grup kompanish që fokusohet në analizën forenzike dhe ofrojnë një sërë zgjidhjesh. Për shembull, kemi EO Security, e cila ofron zgjidhje për të parandaluar mbikëqyrjen ndaj jush. Gjithashtu, kemi kompani që ofrojnë zgjidhje për të realizuar mbikëqyrje ndaj kundërshtarëve tuaj.

Për shembull, ka sisteme që mund të depërtojnë në telefona ose orë smart dhe të nxjerrin të dhëna edhe nëse janë të kyçura, duke i analizuar ato. Kemi gjithashtu një kompani që ofron një sistem të quajtur Cassandra, i cili është zhvilluar në bashkëpunim me forcat e policisë dhe departamentet e emigracionit. Ky sistem ndihmon me mjetet, të dhënat dhe statistikat e duhura për të ulur nevojën për kapacitete shtesë të policisë në ndjekjen e imigracionit.

Po ashtu, kemi një kompani shumë të mirë, Nexia, e cila merret me përpunimin e të dhënave nga regjistrimet zanore dhe analizën gjuhësore. Ata mund të mbështesin shërbimet e inteligjencës dhe forcat e rendit në gjithë procesin e përpunimit të të dhënave zanore, një proces që është veçanërisht i vështirë, sidomos për gjuhën shqipe.

Angelo Haruni: Edhe një pyetje e fundit. Që besoj na rikthen sërish tek pyetja e parë, në varësi edhe si si shkon ky forum bashkëpunimi. Por besoj se gjithsesi ka potencial për bashkëpunim në shumë fusha. A do të shohim një prezencë më të madhe në vendin tonë të kompanive çeke të industrisë së mbrojtjes dhe sigurisë? Si përmes partneriteteve apo edhe thjesht si klientë?

Kristýna Helm: Epo, shpresoj që po. Pikërisht për këtë arsye jemi këtu. Dhe kjo varet shumë nga fakti nëse ju do ta konsideroni partneritetin tonë të vlefshëm për ju dhe nëse zgjidhjet tona janë saktësisht ato që ju nevojiten. Dhe shpresoj që po. Një element tipik në industrinë e mbrojtjes është se me një projekt kryesor zakonisht vendosen lidhjet. Ne kemi gjithashtu një mbështetje shumë të fortë nga qeveria jonë, veçanërisht nga Ministria jonë e Mbrojtjes. Madje edhe Ministri i Punëve të Jashtme ka udhëtuar këtu me ne për të mbështetur delegacionin e biznesit. Kështu që ekziston një vullnet i fortë nga ana jonë për të kërkuar me të vërtetë partneritete.

Nëse nga ana shqiptare kjo do të pranohet, atëherë besoj se mund të krijojmë shumë projekte së bashku. Siç thatë edhe ju, ne kemi përvojën, kemi rikrijuar traditën që kishim që nga koha e monarkisë. Po ecim shumë fuqishëm me kompanitë tona në të gjitha drejtimet dhe jemi absolutisht të gatshëm dhe të interesuar ta ndihmojmë edhe Shqipërinë të ndjekë të njëjtin drejtim.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta