
Industria e midhjes në liqenin e Butrintit dhe zonën e Ksamilit po përballet me sfida serioze, ndërsa fermerët lokalë kanë ngritur shqetësime për cilësinë e ujit dhe nevojën për ndërhyrje nga institucionet.
Kultivuesit kanë protestuar para bashkisë së Sarandës, duke hedhur simbolikisht një kovë me midhje në sallën ku po zhvillohej mbledhja e këshillit bashkiak për të tërhequr vëmendjen mbi krizën që po kalon sektori i tyre.
Soraldo Nebo një aktivist lokal argumenton se pavarësisht garancive për cilësinë e produktit, fermerët janë të shqetësuar për gjendjen e infrastrukturës që ndikon në prodhimin e midhjeve.
Aktualisht portat e Bistricës që furnizojnë liqenin me ujë të ëmbël janë të bllokuara, duke ndikuar në reduktimin e oksigjenit në ujë sipas analizave shkencore e për pasojë në cilësinë dhe rritjen e midhjes. Këtë vit sipas tij u kërcënua edhe fara e midhjes.
“Parametrat jetësorë të liqenit të Butrintit kanë rënë dhe sivjet riskuam dhe humbjen e farës së mbretëreshës sonë, midhjes së Butrintit. Në analizat që bëmë në mënyrë të pavarur për liqenin e Butrintit vumë re që ka mungesë oksigjeni të tretur në ujë që do të thotë se Bistrica nuk vjen mjaftueshëm në liqen dhe kjo ndodh edhe tani që jemi në periudhën e dimrit e imagjinoni çfarë do të ndodhë në verë kur të ngrihen temperaturat e ujit kështu që kemi ardhur këtu të bëjmë thirrje e ta ftojmë institucionin e bashkisë dhe këshillit bashkiak që të bëhet pjesë në këtë problematikë që të kemi mundësi ta çojmë zërin atje ku duhet”, tha aktivisti.
“Unë mendoj që të pastrohen kanalet, të qarkullojë uji siç ka qarkulluar më parë se kështu siç po vijon do zhduket fare. Vivari dhe Bistrica janë dy gjërat kryesore për liqenin”, u shpreh një fermer.
Një tjetër shqetësim i madh i fermerëve është pezullimi prej tre vitesh i kontratave të kultivuesve për impiantet e midhjeve. Kjo situatë ka krijuar pasiguri për të ardhmen e sektorit dhe ka vështirësuar investimet në mirëmbajtjen e fermave të midhjeve.
“Nuk na i kanë lidhur kontratat. Duhet ta bëjë ministria se jemi tre vjet pa kontrata. Ato që kishim kanë mbaruar e tani nuk na njeh njeri fare pa kontrata. Do i lidhim sot e doni lidhim nesër vetëm me shpresë kemi punuar. Si familje kemi 3 impjante dhe kemi 30 vjet atje që kur na i ka lidhur ministria e Lefter Xhuvelit. I lidhëm atëherë 10 vjeçare. Pastaj na i lidhën edhe një herë 10 vjeçare e pastaj na mbaruan. Tani presim”, tha një fermere.
Liqeni i Butrintit, me një sipërfaqe prej rreth 1,600 hektarësh, numëron rreth 80 impiante midhjesh, nga të cilat rreth 50 janë efikase. Prodhimi vjetor i midhjes së Butrintit arrin në rreth 17,000 kv, ku 70% e saj shitet në tregun vendas, ndërsa pjesa tjetër mbetet në ujë për shkak të mungesës së tregjeve të reja.
Një nga problemet kryesore që ka bllokuar rritjen e industrisë është mungesa e aksesit në tregun europian. Për më shumë se 30 vjet, midhja e Butrintit nuk ka mundur të eksportohet në BE për shkak të pretendimeve mbi kriteret e mbarështimit.
Top Channel