
Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste, u shpreh se reforma në drejtësi është bërë falë mbështetjes së PS-së.
Teksa sërish kishte marrë me vete foton e simbolit së Drejtësisë, gjatë takimit me strukturat në Kamëz, Rama tha se “duhet të jemi krenarë për reformën”.
“Një nga gjërat që duhet të na bëjë krenarë ne, që ju mund të habiteni, është pikërisht gjëja për të cilën duan të na ulin kokën dhe duan të na tregojnë me gisht si njerëz që duhet të ndjehemi keq që do të thotë pikërisht çfarë po ndodh me luftën kundër korrupsionit dhe me zhvillimet e kësaj lufte. Kjo shpata ka qenë që nga 1912 në duart e atyre që kanë pasur pushtetin politik. Zonja e drejtësisë këtu ka qenë ‘hajde ta marrim në telefon e ta thërrasim se kemi ditëlindjen’, ‘hajde ta marrim në telefon e ta thërrasim se kemi një vaki’, ‘ta marrim në telefon e ta thërrasim se na kanë ndaluar njërin”, etj. Pra zonja ka qenë si një lloj mantenute e pushteteve. Shpatën e ka pasur pushteti politik. Ne këtë shpatë me reformën në drejtësi, ia dorëzuam zonjës dhe patjetër që në momentin që ke dorëzuar shpatën duke qenë pushteti, ti në fakt nuk ke dorëzuar thjesht shpatën e t’i thuash merre ti shpatën dhe tani do ta përdorësh ku të të them unë se nuk funksionon kështu. Vetëm injorantët dhe ligësirat dhe shpifësirat e kënetës mund ta interpretojnë kështu. Nuk funksionon kështu. Edhe sikur të duash ta bësh kështu, nuk e bën dot. Në momentin që e ke dorëzuar me firmë, me vulë, me inventar, ke thënë merre shpatën,është e jotja. Ku ta dorëzon tjetri shpatën mo? Ku ke gjetur ti ta përdorë tjetri shpatën, siç thua ti, kur ai e ka shpatën të vetën dhe për më tepër, shqiptarët, nuk ndodh kjo. Por ama, duke i dhënë shpatën, i ke hapur sytë që të shohë dhe qafën tënde se shpata është për t’u përdorur, nuk është për t’u mbajtur në dollap“.
Gjatë qeverisjes së majtë, tha Rama, është bërë organizmi mbi të cilin bëhen dhe operacionet kundër korrupsionit.
“Tani në këto operacione, sigurisht që ka në organizmin e përgjithshëm të pushtetit ekzekutiv në Shqipëri, ka tumore për të pastruar, por ndodh që, siç ishte ajo historia ju kujtohet,që mjekët e harruan çadrën brenda në stomak kur e happen, ndodhin dhe aksidente në këtë proces sepse është një praktikë e re dhe natyrisht që është e dhimbshme, patjetër është e dhimbshme, është e rëndë, është stresuese të përjetosh gjëra të cilat nuk është e vështirë që të kuptosh që janë gabim. Dhe të mbyllësh gojën,të mbyllësh gojën 5 vjet me radhë po jo unë, të gjithë, po jo, po ju them të gjithë dhe jo me kënaqësi, asnjëri, por ama të gjithë me një vetëdije që po bëjmë gjënë e duhur ama. Kemi pasur shumë debate, kemi pasur momente që ‘ore, po mirë mo tani shikohet se tani bën mu, nuk është kështu’, jo lëre sepse na ka interesuar që atë shpatën që e kemi dorëzuar,ata që e kanë marrë ta besojnë deri në fund që është e tyre dhe kjo është një sakrificë shumë e madhe në kuptimin e pushtetit, s’është kollaj”.
Top Channel