
Ndërtimi, një nga motorët kryesor të ekonomisë shqiptare shënoi një tjetër bum në vitin 2024.
Në 106.4 miliardë lekë apo thënë ndryshe 1 miliardë euro përllogaritet sipas INSTAT, vlera e ndërtimeve të reja. Me një rritje 18.8% krahasuar me një vit më parë.
Erion Harizi, kreu i shoqatës së ndërtuesve tregon se kanë qenë kërkesat për ndërtimet e hoteleve luksoze dhe kullave të larta që rritën edhe vlerat në 2024.
Ndonëse lejet e ndërtimit shënuan rënie në 1 mijë e 336, sipërfaqja e ndërtuar ka arritur vlera rekord. Gjatë vitit 2024, sipërfaqja e miratuar për ndërtesa të reja arriti në 2.49 milionë m2 , nga 2.11 milionë m2 miratuar në vitin 2023, duke shënuar një rritje prej 18,1 %.
Tirana vijon të kryesojë në sipërfaqet e miratuara në 2024, tregues i një tjetër bumi ndërtimesh për vitet në vijim.
Në strukturën e vlerës së përafërt të lejeve të ndërtimit ndërtesa për banim zënë përqindjen më të lartë, pasuar më tej nga hotelet e ndërtesat tregtare.
Në rritje rezultuan dhe punimet inxhinierike kryesisht në rrugë e autostrada por dhe në ujësjellës e telekomunikacion.
Top Channel