
“Shqipëria nuk ka asnjë Plan B, por vetëm një plan A për të ardhmen e saj, Bashkimi Europian”! Është ky qëndrimi i qartë i Shqipërisë, që mirëpriti këtë të premte në Tiranë Konferencën e Komisioneve për Integrimin Evropian, me praninë e përfaqësuesve nga vendet e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali, tha se pavarësisht ndasive, politika shqiptare bashkohet, kur flitet për integrimin.
Në tryezën e diskutimit nuk munguan dhe debatet, ku kryetarja e Komisionit të Integrimit, Jorida Tabaku, bëri thirrje për më shumë transparencë nga mazhoranca.
Duke iu përgjigjur Tabakut, ministri i Jashtëm, Igli Hasani, tha se është në tryezë për integrimin dhe jo për fushatë.
Bashkimi Evropian, që përfaqësohej në tryezë nga Andre Rizzo, shefi i Seksionit Politik në Delegacionin e BE, vuri theksin te rëndësia e zgjerimit.
“Bashkëpunimi rajonal është transformues, ndihmon paqen dhe stabilitetit. Kjo është edhe arsyeja pse BE mbështet zgjerimin. Ndaj parlamentet tuaja kanë rol kyç për të luajtur në procesin e reformave dhe anëtarësimit në BE”.
I pranishëm në Konferencë ishte edhe ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner, i cili tha se mbështet pa rezerva procesin e zgjerimit të rajonit në Bashkimin Evropian.
Top Channel