Precedenti i SPAK në Strasburg/ Ish-drejtori i RTSH fitoi gjyqin, flet avokati: Arrestimi u cilësua i paligjshëm

26/02/2025 21:20

Strasburgu rrëzoi vendimin e GJKKO-së për masën e arrestit me burg ndaj Thoma Gëllçit pa përfunduar hetimi. Gjykata Europiane e të drejtave të njeriut vlerësoi paligjshmëri në procedurë me arrestimin dhe qëndrimin për kohë të gjatë në paraburgim të ish drejtorit të RTSH në akuzën shpërdorim detyre.

Në një kalvar të gjatë gjykatë më gjykatë mbi këtë dosje që prej 7 tetorit 2021 e deri  më 26 shkurt 2025, avokati Dorian Matliaj tregon  arsyetimin e Strasburgut për shkeljet procedurale të SPAK dhe Gjykatës së Posaçme dhe fitoren morale që do i ngarkohet në kosto shtetit shqiptar.

“Gjykata shprehet gjithmonë në bazë të neneve të konventës. Në këtë rast të nenit 5 që është e drejta e lëvizjes së lirë. I pajustifikuar qoftë arrestimi, qoftë mbajtja për një kohë të gjatë. Një arrestim në këto kushte cënon dhe parimin e prezumimit të pafajësisë. Madje edhe deklaratat e SPAK kanë qenë sikur i referoheshin një fajtori dhe jo një personi që duhet të hetohet”, tha për Top Channel avokati Dorian Matliaj.

Mbushja e burgjeve me të paraburgosur është problem i hershëm sipas avokatit Matlija, por ai shpreson që precedenti Gëllçi të zbatohet në vazhdimësi.

“Ky është problem sistemi, i vjetër sa vetë drejtësia në Shqipëri, jo vetëm e SPAK por dhe e gjykatave të tjera. Mbasi hetohet, gjykohet dhe dënohet personi. Por po të shkojmë të shohim popullsinë në burgje mbi 60% janë ende në proces gjykimi. Kjo është e papranueshme për standardet europiane. Po të shkonin të gjitha çështjet në Strasburg ne do kishim mori vendimesh të tilla. Çështja me e ngjashme me Gëllçin mund te jete çështja e Berishës. Berisha është në zhvillim në Strasburg, ka shanse për tu fituar”, tha avokati.

Për avokatin procedura e ndjekur nga organet e drejtësisë  në lidhje me dosjen Gërdeci është metoda e duhur, që duhet të respektohet edhe në raste të tjera kur zyrtarët nuk paraqesin rrezikshmëri.

“Unë them që është shembull i mirë, rasti i Fatmir Mediut. Jo vetëm thjesht në hetim, por me statusin e të pandehurit po gjykohet dhe vjen si njeri i veshur mirë, komunikon me mediat. Kuptohet në ato raste kur nuk ka kritere si rasti i Gëllçit. Kur ka prova se ka intimiduar ndonjë dëshmitar ose ka realisht tentativa për arratisje si për shembull ka blerë biletë avioni etj janë këto raste që munden të merren masa”, tha ai.

Shqetësuese për të është edhe qëndrimi i avokaturës së shtetit në çështje të tilla.

“Agjenti qeveritar, avokatura e shtetit në atë rast mbajti qëndrim se arrestimi ishte i ligjshëm në kundërshtim me çfarë thoshim ne dhe jurisprudenca e Strasburgut”, u shpreh avokati.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA