
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj ka dhënë një konferencë për mediat këtë të hënë.
Ajo tha se i janë drejtuar SPAK me një kërkesë për informacion nëse janë të vërteta pretendimet se SPAK ka vënë në përgjim gjyqtarët e “Kushtetueses”.
“Në lidhje me pyetjen tuaj Gjykata nuk ka asnjë informacion në lidhje mesa është shkruar për një përgjim të mundshëm apo të pretenduar ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pasi u informua në lidhje me këto lajme, trupa vendosi që t`i drejtohej zotit Altin Dumani me kërkesë për informacion, për ndonjë kallëzim apo hetim ndaj ndonjë gjyqtari, për sa kohë që veprimet e pretenduara i referohen një vendimmarrjeje konkrete të Gjykatës ku vetë SPAK është palë. Shkresa është dërguar zyrtarisht ditën e mërkurë, datë 19 shkurt. Ende nuk kemi një përgjigje zyrtare nga ai institucion.
Ndërkohë që si Kryetare e Gjykatës Kushtetuese informova zotin Dumani se nuk jam vënë në dijeni nga asnjë gjyqtar për ndonjë ndërhyrje apo ushtrim të ndonjë forme ndikimi të papërshtatshme nga avokatë, funksionarë politikë, publikë ose subjekte të tjera, bazuar në nenin 10, pika 3, të ligjit organik. Gjykata mbështet çdo veprimtari të organeve ligjzbatuese në ushtrim të juridiksionit të tyre, gjithmonë në përputhje me kompetencat që i njeh Kushtetuta dhe ligji.
Neni 10 i ligjit nr. 8577/2000 “Shkeljet disiplinore” Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese mban përgjegjësi disiplinore, veçanërisht për shkaqe të: … Mosnjoftimit të Kryetarit të Gjykatës ose të organeve kompetente, sipas ligjit, për ndërhyrjet apo ushtrimin e formave të tjera të ndikimit të papërshtatshëm nga avokatët, funksionarët politikë, funksionarët publikë dhe subjekte të tjera. Ndërhyrjeve ose çdo lloj ndikimi tjetër të papërshtatshëm në ushtrimin e detyrës të një gjyqtari tjetër”, tha Zaçaj.
-Gjatë vitit 2024 keni shqyrtuar një sërë çështjesh me ndjeshmëri të lartë publike, politike gjithashtu.
A mendoni që ka nevojë për një rishikim të legjislacionit të Gjykatës për t’i dhënë mekanizma në detyrimin e palëve për zbatimin e vendimeve të saj? Kam parasysh rastin e shqyrtimit të imunitetit të një deputeti dhe rastin kur pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, adoptimi i detyrimit për votën e diasporës u mor në konsideratë shumë vonë nga parlamenti për zbatim.
Zaçaj: Juridiksioni i Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e Kushtetutës dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kushtetuese ushtrohet edhe përmes kontrollit të kushtetushmërisë së veprimtarisë së organeve publike në përbërje ose jo të secilit prej pushteteve, me qëllim garantimin e shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve, gjatë të cilit shpeshherë lind nevoja e ravijëzimit të kufijve brenda së cilëve duhet të ushtrohet ajo veprimtari.
Për shkak të rolit si një “arbitër paanshëm i konflikteve kushtetuese”, Gjykata shqyrton jo rrallë herë çështje që kanë ndjeshmëri të lartë publike dhe politike, sikundër krijojnë pritshmëri të larta për publikun.
Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese dhe janë përfundimtare dhe detyrimi për zbatimin e tyre është përcaktuar nga vetë Kushtetuta, çka lidhet me autoritetin e këtij organi kushtetues sikundër garanton edhe epërsinë e ligjit themelor të shtetit. Duke qenë një koncept kushtetues, nga ky detyrim nuk përjashtohet as vetë kjo Gjykatë.
Kjo do të thotë se nëse Gjykata ka thënë fjalën e fundit për një çështje të caktuar, asnjë organ tjetër nuk mund ta vërë në diskutim apo të vlerësojë vendimin e saj.
Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës do të cenonte të gjithë strukturën e të drejtave dhe detyrimeve të parashikuara në Kushtetutë, duke përbërë një precedent të rrezikshëm, përveçse një tregues për nivelin e demokracisë dhe shtetin e së drejtës.
Ndërkohë që, nga ana tjetër, kjo mund të bëhet premise për lindjen e një mosmarrëveshjeje të re kushtetuese dhe mund të sjellë një shkelje të re të parimeve apo të të drejtave kushtetuese.
Ju rikujtoj se mekanizmat ligjorë ekzistojnë dhe sipas nenit 81 të ligjit organik të Gjykatës ekzekutimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese sigurohet nga Këshilli i Ministrave me anën e organeve përkatëse të administratës shtetërore. Gjykata, gjithashtu, në varësi të llojit të vendimit dhe kur është e nevojshme, mund të caktojë në pjesën urdhëruese edhe organin e ngarkuar me zbatimin e vendimit. Nga ana tjetër, moszbatimi ose pengimi i ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese është i dënueshëm sipas dispozitave të Kodit Penal.
Thënë kjo, nuk i takon kësaj Gjykate të kontrollojë mënyrën se si zbatohen vendimet e saj, por i takon çdo organi, sipas kompetencave të fushës së tij të veprimtarisë, që të respektojë, zbatojë dhe veprojë në përputhje me vendimmarrjen kushtetuese.
Neni 124 i Kushtetutës
1. Gjykata Kushtetuese zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës.
2. Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës.
Neni 132 i Kushtetutës
1. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.
2. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese hyjnë në fuqi ditën e publikimit në Fletoren Zyrtare. Gjykata Kushtetuese mund të urdhërojë që vendimi i saj, me të cilin ka shqyrtuar aktin, të fillojë efektet në një datë tjetër.
Neni 81 i ligjit nr. 8577/2000 “Ekzekutimi i vendimeve”
1. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim.
2. Ekzekutimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese sigurohet nga Këshilli i Ministrave me anën e organeve përkatëse të administratës shtetërore.
3. Gjykata Kushtetuese, në varësi të llojit të vendimit dhe kur është e nevojshme, mund të caktojë në pjesën urdhëruese organin e ngarkuar me zbatimin e vendimit, si dhe mënyrën e ekzekutimit, duke caktuar afate konkrete, mënyrën dhe procedurën përkatëse të ekzekutimit.
4. Moszbatimi ose pengimi i ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dënohet sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal.
-Pas dorëheqjes së gjyqtares Elsa Toska dy institucione si Gjykata e Lartë dhe Presidenca kanë marrë vendime të njëanshme për përfundimin e mandateve të dy anëtarëve dhe zëvendësimin e tyre me të rinj.
Si i vlerësoni këto ndërhyrje? Është cenuar pavarësia e Gjykatës? A lidhen këto ndërhyrje me vendimmarrje të caktuara të Gjykatës në të shkuarën, por dhe në muajt në vijim?
Zaçaj: Në vijim të përgjigjes së parë, dua të theksoj, fillimisht se unë zbatoj dhe respektoj çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese, sikundër nuk komentoj asnjë vendimmarrje të saj, pavarësisht nëse kam qenë apo jo palë e vendimmarrjes apo qoftë kur kam mbajtur një qëndrim të ndryshëm nga ai i shumicës.
Megjithatë, duke pasur parasysh se çështja në të cilën u përfshi Gjykata e Lartë i përket kohëzgjatjes së qëndrimit tim në detyrë si gjyqtare kushtetuese, unë kisha jo vetëm cilësinë e subjektit që vë në lëvizje Gjykatën, por isha edhe pala e prekur drejtpërdrejt, ndaj dua të jap disa konsiderata që vlerësoj se janë të rëndësishme.
Së pari, si subjekti që inicion këtë lloj gjykimi, pavarësisht qasjes sime të deklaruar edhe publikisht në atë kohë lidhur me fillimin dhe mbarimin e mandatit dhe pavarësisht se vlerësova të përshtatshëm marrjen e një opinioni nga Komisioni i Venecias, si një organ këshillimor i pavarur dhe me ekspertizë në çështjet kushtetuese, unë e vura në lëvizje Gjykatën për të shmangur një konflikt kushtetues dhe për të evituar përfshirjen e saj në ndonjë mosmarrëveshje mes organeve të pushteteve, në kushtet kur Gjykata e Lartë shpalli vakancën pa pritur Gjykatën Kushtetuese të shprehej për mbarimin e mandatit.
Si Kryetare e kësaj Gjykate jam përpjekur përgjatë këtij mandati që të theksoj dhe t’i mëshoj pavarësisë dhe integritetit të kësaj Gjykate, që lufton dhe përpiqet fort, çdo e ditë e më shumë, të mbrojë dhe garantojë parimet kushtetuese dhe të drejtat e njeriut, çka është edhe vizioni im dhe ajo çka besoj më së forti.
Theksoj se nuk kam lejuar dhe nuk do të lejoja asnjëherë që Gjykata të përfshihej qoftë edhe qëllimisht në ndonjë mosmarrëveshje apo retorikë që nuk i përket asaj. Së dyti, si palë në proces, unë i parashtrova trupës disa kërkesa paraprake, përfshirë atë për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias, ashtu edhe kërkimet në lidhje edhe aktet e miratuara nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, të cilat u shqyrtuan prej saj dhe u arsyetuan në vendim. Ritheksoj se ky vendim është detyrues për zbatim, ndaj nuk ka asnjë vend për të komentuar mbi atë vendimmarrje.
Për sa i përket pyetjes suaj për sjelljen e ndryshme të organeve të emërtesës, ju vë në dukje se në vendimin për deklarimin e mandatit tim si gjyqtare kushtetuese (vendimi nr. 84, datë 23.12.2024), Gjykata vuri në diskutim edhe mënyrën se si ka vepruar kryetari i Gjykatës së Lartë në këtë procedurë. Bazuar në parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe atë të luajalitetit kushtetues, që është shprehje e respektit të ndërsjellë të secilit organ ndaj kompetencave të tjetrit dhe përfshin edhe detyrimin për sjellje koherente dhe jokontradiktore, ashtu edhe bashkëpunimin mes palëve mbi baza mirëbesimi dhe korrektese, Gjykata theksoi: i) hapja e procedurës për plotësimin e një vendi vakant duhet të fillojë vetëm pasi ajo të ketë deklaruar mbarimin e mandatit të gjyqtarit dhe vetëm pasi Kryetari i saj të ketë njoftuar organin e emërtesës; ii) në çdo rast kur një organ i emërtesës vlerëson se Gjykata nuk e ka ushtruar kompetencën e saj brenda afatit ligjor, ai duhet t`i drejtohet asaj duke i kërkuar me shkrim ushtrimin e kësaj kompetence dhe duke parashtruar argumentet në drejtim të fakteve dhe dispozitave kushtetuese ku mbështet qëndrimin e tij; (paragrafi 19 i vendimit të Gjykatës).
Duket se mënyra se si ka vepruar Presidenti në rastin konkret është mënyra e duhur, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila do të shqyrtojë këtë çështje dhe do të vlerësojë të gjitha çështjet e parashtruara nga organi i emërtesës, në përputhje me parimet kushtetuese, si edhe vetë jurisprudencën kushtetuese.
Aktualisht çështja është regjistruar si e tillë dhe është në pritje të shqyrtimit paraprak të saj.
Neni 127 i Kushtetutës
…2. Mbarimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese deklarohet me vendim të Gjykatës Kushtetuese.
3. Në rast se vendi i gjyqtarit mbetet vakant, organi i emërtesës emëron një gjyqtar të ri, i cili qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të gjyqtarit të larguar.
Neni 9 i ligjit nr. 8577/2000 “Mbarimi i mandatit”
…2. Mbarimi i mandatit të gjyqtarit deklarohet me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Kërkesa për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit bëhet nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese.
3. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, jo më vonë se 3 muaj përpara përfundimit të mandatit të një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese, sipas pikës 1, shkronjat “a” dhe “b”, të këtij neni, si dhe menjëherë në rastet e mbarimit të mandatit përpara afatit ligjor, njofton organin e emërtesës për vendin vakant. Procedura për emërimin e gjyqtarit të ri përfundon jo më vonë se 60 ditë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese që ka deklaruar përfundimin e mandatit.
4. Në çdo rast të mbarimit të mandatit të gjyqtarit vihet në dijeni Presidenti i Republikës dhe Kuvendi i Shqipërisë.
Neni 7/b i ligjit nr. 8577/2000 “Procedura e emërimit nga Presidenti i Republikës”
1. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, sipas këtij ligji, njofton për vendin vakant Presidentin e Republikës, i cili, brenda 7 ditëve nga marrja e njoftimit, shpall në mjetet e informimit publik dhe në faqen zyrtare të internetit hapjen e procedurës së aplikimit.
Njoftim per Shtyp_ Raporti vjetor 2024_GJK FINAL HZ 24.1.2025 (1)
Top Channel