Porti i Durrësit, Gjykata Kushtetuese rrëzon padinë e opozitës: Menaxhimi i hapësirave publike nga investitori strategjik, në varësi të pushtetit vendor

21/02/2025 18:31

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar për herë të dytë padinë e deputetëve të opozitës për Portin Turistik të Durrësit.

Me shumicë votash, Gjykata vendosi rrëzimin e padisë së një të pestës së opozitës.

Lidhur me pretendimet e opozitës për antikushtetutshmërinë e katër VKM-ve, përkundrejt standardeve përkatëse të jurisprudencës kushtetuese, Gjykata thotë se ato janë akte individuale dhe si të tilla nuk i nënshtrohen juridiksionit kushtetues.

Ndërkohë, GJK nuk ka marrë në shqyrtim pretendimet për cenimin e identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kulturore si rezultat i zhvillimit të projektit strategjik në territorin e portit të Durrësit, dështimin e shtetit për të mbrojtur këtë pronë publike, të drejtën për transparencë, pasi thotë se kërkuesi nuk ka arritur të paraqesë argumente kushtetuese.

Po ashtu, Gjykata ka vlerësuar se pretendimi i kërkuesit për cenim të lirisë së veprimtarisë ekonomike, në drejtim të konkurrencës të lidhur me parimin e barazisë para ligjit, për shkak se subjekti zhvillues i projektit strategjik është përzgjedhur pa garë, arriti në përfundimin se nuk duhet të merret në shqyrtim, pasi përzgjedhja e zhvilluesit pa garë është parashikuar në marrëveshjen ndërkombëtare midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, të miratuar me ligjin nr. 145/2020 dhe jo nga ligji objekt shqyrtimi.

Për më tepër, Gjykata konstatoi se konkurrimi mes zhvilluesve sipas ligjit për investimet strategjike realizohet në fazën e marrjes së statusit të investitorit strategjik, thuhet në njoftim.

Gjykata, me shumicë votash, arriti në përfundimin se “menaxhimi i hapësirave publike nga investitori strategjik në nenin 10.6 të Marrëveshjes Kuadër duhet kuptuar se është vetëm një mundësi, zbatimi i së cilës mbetet në diskrecionin e pushtetit vendor”.

Gjithashtu, Gjykata, me shumice votash, arriti në përfundimin se ai është i pabazuar, pasi përjashtimi i investitorit strategjik nga detyrimi për të paguar këto taksa/detyrime financiare nuk i jep atij një avantazh konkurrues në tregun përkatës, për sa kohë, pavarësisht lehtësive në dukje, në këmbim shteti është bërë aksionar në shoqërinë investitore në masën 33 %, për rrjedhojë do të jetë pjesëmarrës në ndarjen e dividentit në po të njëjtën masë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA