
Me digjitalizimin tashmë regjistrat fizikë janë jashtë mode. Ashtu si në arsimin parauniversitar, edhe arsimi i lartë përdor sistem informatik për regjistrimin në provime apo për listën e notave.
Studentët e Universitetit të Tiranës logohen përmes kredencialeve në e-albania në sistemin e-student. Por sidomos gjatë sezonit të testimeve, të rinjtë shfaqin shqetësimin mbi problemet teknike të këtij database digjital që jo gjithmonë ju njeh rezultatet e provimeve.
Në emër të vitit të dytë në Fakultetin e Gazetarisë, studentja e ekselencës Keisi Topi tregon ankesat që i shpreh grupi i saj.
“Disa studentë, të paktën të klasës sime, janë akoma në dilemë për disa provime të vitit të parë sepse nuk e dinë akoma çfarë notash kanë marr. Praktikisht ata janë në vit të dytë, por sistemi nga ana teknologjike çalon sepse nuk nxjerr notat. E kemi dhënë provimin, jemi të regjistruar, pedagogu e ka bërë punën me korrigjimin e ka dhënë vlerësimin, por sistemi nuk nxjerr notën. Në këtë moment studentët vijnë ankohen te unë se jam koordinatorja e duhet të adresoj problemin diku tjetër, se nuk dinë çfarë të bëjnë. A duhet ta përsërisin provimin?”, shprehet ajo.
Keisi shpjegon se e ka raportuar problematikën e sistemit e-student në disa hallka zinxhir, por që nuk ka gjetur zgjidhje: “Si fillim e shpreh te pedagogu, e konfirmon që notën e ka hedhur në sistem dhe nuk ka çfarë bën tjetër. Shkoj te sekretaria pyes e më kthen përgjigjen e saj për kompetencat që ka kryer ok procedurat, ka bërë regjistrimet. Pra në këtë situatë nuk është përgjegjësia e askujt, vec një problem teknik i sistemit që nuk dimë si ta zgjidhim”.
Metoda e vetme funksionale në këtë institucion arsimor publik është sistemi e-student. Ndaj nëpërmjet Top Channel, studentët shpresojnë të marrin fund paqartësitë mbi pasqyrimin e mangët të notave në të gjithë provimet që kanë dhënë.
“Ne notën mund ta marrim edhe gojarisht por nuk vlen, për shkak se duhet të kalojë nota në sistem e lënda quhet e mbyllur. Nuk ka një regjistër fizik, është e vetmja mënyrë për të ditur mesataren. Kërkoj që për sa kohë sistemi ekziston dhe është metodë praktike për studentët, këto vështirësitë teknike të rregullohen”, thotë studentja.
Duke vlerësuar lehtësitë e pasjes së një regjistri digjital, studentët kërkojnë zgjidhjen e problemeve teknike që ju rrezikon edhe përfundimin e vitit studimor.
Top Channel