![](https://img.youtube.com/vi/MzSVn1q3wpw/maxresdefault.jpg)
Si kancelari gjerman Olaf Scholz, ashtu edhe ministri i mbrojtjes, Boris Pistorius, reaguan menjëherë ndaj komenteve të zëvendëspresidentit amerikan JD Vance për demokracinë evropiane, duke i cilësuar ato të papranueshme.
JD Vance tha në Konferencën e Sigurisë së Mynihut se në Europë mungon demokracia dhe fjala e lirë, por këtë, kreu i ekzekutivit gjerman, nuk e toleroi dot.
Vance ngacmoi gjithashtu edhe me çështjet e emigrimit, duke thënë se emigracioni masiv është një çështje që nënvlerësohet nga të gjitha vendet e Europës.
“Unë i kundërshtoj shprehimisht ato që tha zëvendëspresidenti i SHBA-së Vance në Konferencën e Sigurisë së Mynihut,” postoi Scholz në platformën X.
“Nga përvoja e nacionalsocializmit, partitë demokratike në Gjermani kanë një konsensus të përbashkët: ky është kufiri kundër partive ekstremiste të djathta.”, ishte mesazhi i tij. Pistorius po ashtu tha se “nënpresidenti i SHBA vuri në pikëpyetje demokracinë për të gjithë Evropën,” tha Pistorius në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
“Ai flet për asgjësimin e demokracisë. Dhe nëse e kam kuptuar saktë, ai po i krahason kushtet në disa pjesë të Evropës me ato në rajone autoritare… kjo është e papranueshme.”
Gjermani partia ekstremiste e djathtë AfD renditet e dyta në sondazhe, Pistoriusi u shpreh me sarkazëm lidhur me mendimin e Vance se liria e fjalës po pengohet. Demokraci do të thotë që “partitë ekstremiste si AfD mund të bëjnë fushatë krejt normalisht, ashtu si çdo parti tjetër”, tha Pistorius.
“Megjithatë demokraci nuk do të thotë që një pakica që bërtet më shumë ka automatikisht të drejtë dhe përcakton të vërtetën,” tha ministri gjerman i Mbrojtjes.
Top Channel