
Fjalimi i zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance, në Konferencën e Sigurisë në Mynih ka shkaktuar revoltë tek një pjesë e liderëve europian. JD Vance tha të premten, se kërcënimi kryesor me të cilin ballafaqohet Evropa “vjen nga brenda”.
Kërcënimi për të cilin shqetësohem më shumë përballë Evropës nuk është Rusia, as Kina, nuk është ndonjë aktor tjetër i jashtëm. Ajo që shqetësohem është për kërcënimin nga brenda, tërheqja e Evropës nga disa prej vlerave të saj më themelore”, ka deklaruar fillimisht Vance.
Ai iu drejtua liderëve evropianë me pyetjen: “nga çfarë po e mbroni veten?”
“Nëse po vraponi nga frika e votuesve tuaj, Amerika nuk mund të bëjë asgjë për ju. A ka ndonjë gjë që mund të bëni ju për popullin amerikan që më zgjodhi mua dhe Presidentin Trump?” ka deklaruar ai.
Vance ka kundërshtuar kritikat e liderëve evropianë drejtuar Elon Musk, për ndërhyrjet e tij të supozuara në zgjedhjet evropiane, duke thënë se “nëse demokracia amerikane mund t’u mbijetojë 10 vjetëve të qortimit të Greta Thunbergut, ju mund t’u mbijetoni disa muajve të Elon Musk-ut”.
Ai bëri thirrje për t’u dhënë fund “mureve politike”, referencë kjo që lidhet me përjashtimin e partisë gjermane të ekstremit të djathtë AfD, nga bisedimet për formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve federale në Gjermani që do të mbahen më 23 shkurt.
Kulmi i zhgënjimit për europianët ishte kur zëvendëspresidenti i SHBA-së, krahasoi liderët aktualë evropianë me autokratët që sunduan me regjimet represive në kontinentin evropian gjatë Luftës së Ftohtë.
Ai citoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Rumanisë për të anuluar zgjedhjet presidenciale të vendit në vitin e kaluar, mes akuzave për ndërhyrje ruse, si shembull të rrëshqitjes së Evropës.
“Kur shohim gjykatat evropiane që anulojnë zgjedhjet dhe zyrtarët e lartë që kërcënojnë se do të anulojnë të tjera, ne duhet të pyesim nëse po e mbajmë veten në standardin e duhur”, theksoi ai.
Në vazhdën e fjalimit të tij, Vance deklaroi se “nuk mund t’i detyrosh njerëzit se çfarë të mendojnë, çfarë të ndjejnë apo çfarë të besojnë… Fatkeqësisht, kur shikoj Evropën sot, ndonjëherë nuk është aq e qartë se çfarë ndodhi me disa nga fituesit e Luftës së Ftohtë”, tha ai.
Top Channel