![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/4545454545-1-800x450.jpg)
Parlamenti ka nisur procedurat për shkarkimin në bllok të Këshillit Drejtues të RTSH.
Në shkresën zyrtare thuhet se komisioni për edukimin dhe mjetet e informimit publik vendosi nisjen e procedurës për shkarkimin e Kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar.
Pak javë më parë Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar skualifikoi në mënyrë të paprecedentë tetë kandidatë nga gara për Drejtor të Përgjithshëm të RTSH-së.
Mes të skualifikuarve ishin edhe emra si Eni Vasili, një prej gazetareve më të njohura në vend, ndërkohë që janë kualifikuar vetëm dy zyrtarë aktualë të RTSH-së, drejtoresha e komanduar Aurora Polo dhe drejtori i RTSH-së në Shkodër, Jetmir Shpuza.
Së bashku me Eni Vasilin janë skualifikuar edhe kandidatë të tjerë si Laureta Roshi, Kliton Rama, Enrik Mehmeti e Harrilla Koçi.
Në mbledhje, në kundërshtim me ligjin për mediet audiovizive dhe të statutit të Radio Televizionit Shqiptar, anëtarët e Këshillit kryen një votim pa diskutuar kriteret që plotëson ose jo secili kandidat.
Sipas juristëve kjo e minon procesin, pasi votohet kandidati me njohuri të kufizuara, pa vërtetuar CV-në e tij. Nga ana tjetër votimi konsiderohet i paligjshëm e për rrjedhojë i pavlefshëm sepse Kryetari i Këshillit dhe vetë anëtarët kanë lejuar që njëri prej anëtarëve që gjendet në Vietnam, të votojë online, në një kohë që votimi ishte i fshehtë.
Top Channel