“Ina Goxhajn e e kam kushërirë”, Bushka hedh poshtë akuzat e SPAK: Vetëm e kam këshilluar dhe kritikuar, nuk e di kush i ka bërë presion në Prokurori

12/02/2025 09:55

Ish-drejtoresha e BYL-A-s, Ina Goxhaj ka deklaruar në SPAK se kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka i ka bërë presion që të mohonte gjithçka që nxirrte Ajola Xoxën në shkelje.

Në dëgjesën e bërë këtë të mërkurë në Grupin Parlamentar të PS-së, Bushka tregoi se Goxhajn e ka kushërirë, por theksoi se asnjëherë ‘nuk i ka bërë presion’. “E kam këshilluar të thotë të vërtetën”, tha deputetja socialiste.

“Po, e kam takuar vajzën në fjalë. Ina Goxhaj është kushërirë imja, e kam këshilluar të thotë të vërtetën, të marrë një avokat. Vetëm kaq. Nuk e kam penguar të thotë asgjë, as të thotë ndonjë të vërtetë, e kam kritikuar që adresa e shoqërisë ku ajo kishte qenë drejtoreshë nuk ishte ndryshuar, edhe pse unë e kisha kërkuar. Nuk e di çfarë presioni mund të ketë ndjerë në Prokurori kushërira ime që ka përcjellë keq deklaratat e mia. Unë nuk jam thirrur kurrë, nuk më është dhënë kurrë mundësia të dëgjohem”, tha Bushka.

Deputetja Klotilda Bushka dyshohet për veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës sipas nenit 301 të kodit penal. SPAK njofton se deri në këtë fazë konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim ka kryer veprime aktive të kundërligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues në lidhje me procedimin penal nr. 27 të vitit 2024.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA