Fiks Fare/ Periudhën që ekografia nuk ka funksionuar në Qendrën Shëndetësore Nr.7, mjeku pacientët i dërgonte në privat.

12/02/2025 20:50

Prej  gati një viti ekografia e Qendrës Shëndetësore nr. 7 në Tiranë nuk ka funksionuar.

Kështu që pacientët duhet të drejtoheshin në një qendër tjetër për të marr këtë ekzaminim, por mjeku i kësaj qendre i çonte në një klinikë private, ku vuloste me vulën e shtetit ekografinë e bërë në privat. Periudhën që ekoja dhe grafia nuk kanë funksionuar në qendrën e Laprakës, mjeku e ka shfrytëzuar duke i çuar pacientët ta marrin këtë shërbim në privat kundrejt pagesës.

Pasi informacioni mbërriti në redaksinë e emisionit Fiks Fare, gazetarët iu drejtuan Qendrës Shëndetësore në Laprak. Ku mjeku Korab Ndreu pohoi se prej shumë muajsh pajisja nuk punon. Sipas rregullave pacientët duhet të drejtohen në Qendrën Shëndetësore Nr.9, ku duhet të marrin një rekomandim nga mjeku për një orar të lirë, që zakonisht bie mbas dy muajsh sipas mjekut. Edhe grafia në këtë qendër shëndetësore nuk ishte në punë prej vitesh.

Për këtë arsye shpjegon mjeku Ndreu ka dy zgjidhje ose të presin radhën në Qendrën Shëndetësore nr.9, ose ta marrin shërbimin në privat. Zgjidhje më e shpejt sipas imazheristit Ndreu është marrja e shërbimin në klinikë private, ku nga 3 mijë lekë që kushton ai mund ta bëj ekografinë në privat me një çmim të arsyeshëm prej 2 mijë lekëve.

Gazetarët e Fiksit të paraqitur si pacientë pranojnë të bëjnë ekografinë në klinikën e sugjeruar nga mjeku Ndreu. Edhe pse ai është në orar të punës së shtetit i vë kyçin derës dhe i shoqëron në klinikën private pranë Spitalit të Traumës (Ushtarak).

Me të mbërritur në klinikën private mjeku imazherist bën një ekografi abdominale, por nuk e njeh mirë aparaturën. Madje përshkrimin e përmasave të organeve e bën me hamendje.

Me të mbaruar ekografinë vetë mjeku firmos përgjigjen dhe e vulos me vulën e tij të cilën e mori me vete nga qendra shëndetësore. Pasi gazetarët e  Fiksit bën pagesën, mjeku jep edhe sugjerimet e tij sesi duhet të kurohet pacienti me çarja bimor.

Fiksi u rikthye sërish tek Qendra Shëndetësore nr. 7 pas disa muajve dhe situata ishte po e njëjta, ekografia ishte jashtë funksioni. Sërish gazetarët takojnë mjekun Ndreu i cili u thotë se është e vështirë të planifikosh grafi tek Qendra Shëndetësore Nr.9, por ka zgjidhje, në privat. Kështu si Fiksi edhe mjeku nisen për në klinikën private që kësaj radhe ndodhej në Kamëz.

Gjatë rrugës ai tregon se më parë pacientët i çonte në një tjetër klinikë private, por që edhe asaj nuk i punonte aparatura për momentin. Pyetjes sesa kushtonte ekografia, mjeku Ndreu u përgjigj “Këtu në Kamëz kushton 2.5-3 mijë lekë”.

Aktualisht aparaturat e ekos edhe ajo e grafisë  janë në gjendje funksionale në këtë qendër shëndetësore.

 

 

.

 

FOTO GALERI
6/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA