Vihet në pranga 47-vjeçari, i cili ishte shpallur në kërkim për pjesëmarrje në një grup kriminal.
Sipas njoftimit të policisë, shtetasi me iniciale O.I., banues në Gjirokastër u kap në zonën e “Liqenit të Thatë” në Tiranë.
Ky shtetas ka qenë pjesë e një grupi kriminal në vitin 2018 në trafikimin e lëndëve narkotike me shtetet e BE-së. 47-vjeçari është dënuar me 6 vite e 8 muaj burg, ku i ka mbetur për të vuajtur dënimin për 2 vite e 8 muaj burg.
Njoftimi:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Wanted”, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e shtetasve në kërkim.
Vihet në pranga 47-vjeçari, pjesë e një grupi kriminal në trafikimin e lëndëve narkotike në vitin 2018.
Sektori Operacional në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, të DVP Gjirokastër dhe me Komisariatin e Policisë Nr.1 Tiranë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Wanted”.
Gjatë këtij operacioni u lokalizua në afërsi të zonës së quajtur “Liqeni i Thatë”, Tiranë, u kap dhe u vu në pranga shtetasi O. I., 47 vjeç, banues në Gjirokastër.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, me vendimin e datës 29.07.2020, e ka dënuar këtë shtetas me 6 vite e 8 muaj burgim (të cilit i ka mbetur për të vuajtur 2 vjet e 8 muaj e 4 ditë burgim), për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 283/a/2 i Kodit Penal.
Ky shtetas ka qenë pjesë e një grupi kriminal në vitin 2018 në trafikimin e lëndëve narkotike me shtetet e BE-së. Në goditjen e këtij grupi kriminal në vitet 2017-2018, janë zhvilluar 12 operacione policore kombëtare dhe ndërkombëtare konkretisht në Shqipëri, Greqi, Turqi, Maqedoni, Itali, ku janë arrestuar gjithsej 66 shtetas midis tyre të huaj dhe shqiptarë si dhe janë sekuestruar 8.4 ton lëndë narkotike Cannabis Sativa, municione luftarake, automjete, telefona, si dhe shuma të konsiderueshme parash.
Në vijim të veprimeve shtetasi O. I., iu dorëzua shërbimeve të DVP Korçë, ku nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve u bë ndalimi i tij dhe referimi i materialeve për veprime të mëtejshme në Prokurori.
Top Channel