Zgjedhjet e 11 majit, Berisha bën thirrje: Ftoj çdo parti që ndjehet opozitare të na bashkohet, lërini problemet me njëri-tjetrin

07/02/2025 11:43

Kreu i PD, Sali Berisha u ka bërë thirrje partive të vogla opozitare që t’i bashkohen Partisë Demokratike.

Ai theksoi se duhet t’i lënë problemet me njëri-tjetrin dhe të bashkohen me PD-në kundër PS në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

“Koha është për një front sa më të gjerë opozitar, ndaj dhe unë ftoj të gjitha forcat politike që e ndjejnë veten opozitë, e konsiderojnë veten opozitë, pavarësisht nga çdo kundërshti që mund të kenë njëri me tjetrin, të bashkohen në këtë front për t’u përballur me sukses me këtë të keqe që kemi përpara. Sepse ky bashkim ka një rëndësi vendimtare.

Ka prej tyre që kanë shumë vërejtje për këtë forcë apo atë forcë, kanë vërejtje për PD-në, normale janë këto, por problemi është se nuk ka rrugë tjetër përveç bashkimit për t’u përballur me këtë të keqe që kemi përpara. Dhe të gjitha variantet e tjera, vetëm sa pjesëtojnë fuqinë e opozitës. Lërini problemet me njëri-tjetrin”, tha Berisha.

“Ne kemi në dorë bashkimin tonë, ndaj dhe ne duhet të bashkohemi me të gjithë potencialin që kemi.
Edhe partitë e tjera janë të ftuara, të lënë problematikat me njëri-tjetrin, të bashkohen me ne, se çdo problem që kanë me njëri-tjetrin nuk krahasohen kurrë me problemet që kanë shqiptarët me Edi Ramën.

Ato janë probleme të ekzistencës së kombit shqiptar sepse këta 1 milion e 99 mijë që u larguan në hapësirën e BE për 10 vite, 4 vite do marrin edhe 1 milion të tjerë dhe Shqipëria do boshatiset plotësisht.
Ndaj, duke shprehur kënaqësinë për këtë takim, vlerësimin tim për ju, partitë tuaja, u ftoj të bëjmë çdo përpjekje për një front sa më të gjerë.

Të gjitha kushtet për një front ekzistojnë. Të këqijat apo të zezat që ky regjim u ka bërë shqiptarëve janë një thirrje për ndërgjegjen e çdo qytetari shqiptar të bashkohet kundër tij. Të gjithë potencialet që kemi si parti, të bëjmë çdo gjë me shqiptarët jashtë vendit, janë 1.5 milionë votues. Është e domosdoshme që të kontaktohen, nuk janë njerëz pa adresë ata. Ata të gjithë kanë një adresë.
Nuk janë njerëz që kanë shkëputur çdo lidhje me Shqipërinë. Jo, kush më shumë e kush më pak, të gjithë i kanë ruajtur lidhjet me Shqipërinë.

Është në detyrën tonë t’ua gjejmë ato lidhje, t’i kërkojmë që të regjistrohen dhe të votojnë kësaj here për të nxjerrë Shqipërinë nga kjo e keqe e madhe. Ndaj dhe unë po e mbyll përsëri me thirrjen time për forcat e tjera politike, por të gjithë faktorët, të gjithë ata që mbrojnë kauza të drejta, të bashkohemi në një front të përbashkët kundër kësaj të keqe që ka pllakosur Shqipërinë”, theksoi Berisha në mbyllje të fjalës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA