![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/Rubio-e-Musk-660x372_sd-800x450.jpg)
Për tre ditë adoleshentët e Korçës u terrorizuan nga një faqe instagrami e cila bullizonte, denigronte dhe publikonte materiale pornografike të tyre.
Pas denoncimit të bërë nga një oficere e sigurisë në një prej gjimnazeve të Korçës, Sektori kundër Krimit Kibernetik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimet për rastin dhe identifikimin e administratorëve të faqes. Nën objektivin e sulmit të administratorëve anonimë të faqes e cila që në emër ishte denigruese, ishin vendosur nxënës të shkollave të mesme por edhe 9 vjeçare të qytetit. Disa nga adoleshentët e moshës 14-18 vjeç të cilët u bënë objekt i sulmit tregojnë se faqja ekziston prej disa vitesh dhe në mënyrë periodike është hapur dhe mbyllur.
Sipas tyre ndryshe nga herët e tjera tani përveç postimeve me emra dhe mbiemra me përmbajtje denigruese ka patur edhe video dhe foto me përmbajtje pornografike.
Denoncimi i rastit ka angazhuar strukturat e policisë së Korçës, prokurorisë dhe sektorit të Krimit Kibernetik në Drejtorinë e Policisë së Shtetit. Ndërsa faqja tanimë është mbyllur po vijojnë hetimet intensive për të identifikuar administratorët e faqes dhe persona të tjerë të përfshirë në shpërndarjen e këtyre materialeve
Eksperti Kibernetik Thanas Dimço e konsideron shqetësues krimin kibernetik për rajonin e Korçës i cili kohët e fundit ka vënë në shënjestër të miturit
Vetëm në 3 ditët e fundit ka pasur më shumë se 20 adoleshentë të dëmtuar nga sulmi kibernetik përmes kësaj faqeje. Pavarësisht se rastet e sulmit kibernetik janë në rritje shqetësim mbetet mungesa e denoncimeve nga të miturit të cilët frikësohen nga ky lloj presioni dhe nuk kërkojnë mbështetjen e prindërve apo ekspertëve
Krimi kibernetik si një prej krimeve të reja me të cilin po përballet shoqëria sipas ekspertëve të fushës kërkon forcimin e mëtejshëm të bazës ligjore për të bërë të mundur identifikimin më të shpejtë të autorëve.
Top Channel