Nisi sot samiti “Pakti i Qyteteve të Lira”, që për herë të parë po zhvillohet në Tiranë, me pjesëmarrjen e kryetarëve të bashkive nga qytete të rëndësishme të Europës dhe botës.
“Kur shoh se si qyteti më i izoluar në Europë është sot Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe i Dialogut, më bën shpresëplotë se qytetet mund të ndryshojnë; vendet, shoqëritë, realitetet mund të ndryshojnë. Çdo gjë është e mundur nëse secili prej nesh merr seriozisht angazhimin tonë për të qenë transformues, inovatorë dhe hapësira të hapura për qytetarët tanë, por të hapura edhe për të tjerë, që vijnë nga vështirësitë që mund të sjellë lufta, ndryshimet klimaterike apo sfidat e jashtëzakonshme ekonomike”, shprehet Veliaj.
Kryebashkiaku Erion Veliaj, në rolin e mikpritësit, tha se mezi pret që gjatë këtij samiti të krijohen ura të reja bashkëpunimi mes qyteteve.
“Patëm një takim me dyer të mbyllura për të miratuar atë që quhet Deklarata e Tiranës, një përkushtim dhe angazhim i qyteteve për të qenë më afër njëri-tjetrit, më sdolidarë, për të qenë qytete të hapura, sidomos ndaj atyre që largohen nga persekutimi, nga lufta, nga vështirësitë ekonomike, për të treguar se, ashtu siç na dëshmoi sot kryetari i Këshillit të Vienës, se qytetet që investohen në solidaritet dhe në politika sociale janë edhe qytete më të sigurta”, shton kryetari i bashkisë.
E pranishme ishte dhe kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila e cilësoi Tiranën si një model të politikave urbane progresive.
Gjatë gjithë ditës së sotme do të ketë disa panele diskutimi, ku kryetarët e bashkive pjesëmarrëse do të prekin tema si siguria e qyteteve në kohë krizash, qëndrueshmërinë e qyteteve dhe migracioni.
Top Channel