“Erzen Breçani përdori pin-in e Nuredin Dumanit në Sky Ecc”, zbardhen detaje nga seanca gjyqësore në GJKKO e “Metamorfozës”

03/02/2025 12:38

Detaje të reja janë zbardhur nga seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion për të akuzuarit e dosjes “Metamorfoza”.

GJKKO pranoi gjykimin e shkurtuar për të pandehurit Ismail Zeneli, Bujar Ajeti, Besmir Murtati, Adrian Cenaj, Albert Prenga dhe Dedan Gjoni në këtë process, ndërsa çështja u nda për ish zëvendës drejtorin e policisë së Tiranës, Erzen Breçanin dhe ish efektiven e policisë, Jonida Babameto.

Të dy ata do të gjykohen me procedurë të zakonshme. Gjithashtu gjykata shpalli moskompetencën duke dërguar dosjen në ngarkim të Breçanit dhe Babametos në Gjykatën e Tiranës.

Erzen Breçani në sallën e gjyqit u shpreh se nuk mund të pranojë të gjykohet me provat e paraqitura nga SPAK.

Sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha Breçani deklaroi se: Unë dua të gjykohem me procedurën e zakonshme. E njoh shumë mirë hetimin dhe në dijeninë time, ky që është pas meje, Bujar Ajeti që e njoh që kur ishim fëmijë, më pas edhe tek RENEA, në dijeninë time nuk ka qenë ky person në kërkim nga shteti shqiptar. Unë kam arsyet e mia pse unë nuk e pranoj gjykimin e shkurtuar. Bujar Ajeti ka qenë i shoqëruar disa herë, ka kaluar kufirin me pasaportë. Unë kam ndjekur kriminelët gjithë jetën time, nuk kam përse të përkrah këtë kategori tani. Nuk mund ta pranoj që unë të gjykohem me këto prova që janë paraqitur. Për akuzën e “pastrimit të parave”, as më ka shkuar në mend dhe as kam pastruar para. SPAK thotë vetë që nuk kemi mundësi financiare dhe është e vërtetë, paratë për hidrocentralin ia kemi marrë vëllait që ka 25 vite, me disa biznese.

Prokurori Vladimir Mara u shpreh se Erzen Breçani ka përdorur një pin në aplikacionin Sky Ecc që më parë e ka përdorur bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani.

Ndërkohë, gjykata i ka ndarë nga ky proces personat e tjerë që ndodhen ende në kërkim mes tyre djali i Erzen Breçanit, Eralbi, Ervin Mata, Artan Sulejmani dhe Bajram Grabova, të cilët janë shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej nëntorit të vitit 2023.

Disa nga të pandehurit, kërkuan ndarjen e çështjes nga të tjerët, kërkesë e cila nuk u pranua nga GJKKO.

Ky grup i strukturuar kriminal akuzohet për “trafik ndërkombëtar droge” në disa episode, “sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal, “nxjerrje e informacionit sekret”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA