Kryeministri Edi Rama gjatë përurimit të godinave 16 dhe 17 në Qytetin Studenti theksoi se Shqipëria nuk është më në tranzicion.
“Ne jemi në një pozicion ku kemi një besim të madh të njerëzve për të shpërblyer dhe nevojën për t’u përmirësuar. Nga pikëpamja fizike Qyteti Studenti e ka rimishëruar transformimin e shtetit tonë, të të gjitha aspekteve të jetës sonë gjatë këtyre viteve ka rimishëruar të gjitha dhimbjet dhe deformimet e një tranzicioni që e kemi lënë pas.
Shqipëria nuk është më në tranzicion, është ekzaktësisht vetëm pak hapa BE-së, çdo vit në jetën e një individi është shumë e madhe por në jetën e një vendi dhe populli është vetëm një hap, pak hapa nga hyrja me drejta të plota në BE, edhe si është ndërtuar e jetueshme e nesërmja edhe si e shkuara vazhdon të jetë e pranishme përmes një sërë objektesh shëmtirash që duhen edhe ato adresuar, zëvendësuar, këto shëmti janë fizike, janë po ashtu pjesë e jetës institucionale në formën e mosmbarëvajtjes së një sërë gjërave në formën e korrupsionit apo gjërave që ne i kemi adresuar dhe vazhdojmë. Asgjë më nuk do të lërë shijen e keqe të së shkuarës që qëndron mes nesh, nuk do të jemi një vend në Europë, por një vend brenda Europës së bashkuar”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se Shqipëria është përndjekur prej vitesh nga shpirtra të këqij, të cilët e kanë bërë të humbasë shumë shanse.
“Një përballje që lidhet me një përndjekje e së ligës, së keqes e një shpirti të keq që e ka bërë Shqipërinë të humbasë shumë shanse dhe të futet në qorrsokak duke nisur qyshkur një grup njerëzish vizionarë dhe kurajozë shpallën pavarësinë dhe sapo ngritën flamurin panë t’u ngrihen dhe qepen këmba këmbës edhe shejtanët e Shqipërisë, që në shumë se një rast arritën ta dominojnë Shqipërinë para dhe mbrapa, por tanimë kemi mundësinë të ndihemi të çliruar, shejtanët aty janë, por në rastin më të keq luajnë rolin e hudhrës që na mbajnë larg syrit të keq dhe në rastin më të mirë na motivojnë të bëjmë një mijë herë më shumë”, tha Rama.
Në fjalën e tij, kryeministri theksoi gjithashtu transformimin që ka pësuar Tirana dhe ndikimin e saj në imazhin e Shqipërisë.
“Është gjithmonë krenari kur dëgjon nga ata të cilët vijnë këtu për herë të parë fjalët më të jashtëzakonshme për atë që gjejnë këtu në Tiranë, për arkitekturën, për pastërtinë, për energjinë e qytetit, dhe mbi të gjitha për perspektivën e këtij qyteti. Sigurisht, kjo vlen shumë më tepër se sa për t’u kënaqur, për t’u inkurajuar dhe për t’u frymëzuar që kjo punë e madhe të vazhdojë”, theksoi ai.
Rama vlerësoi punën e Bashkisë së Tiranës në zhvillimin e kryeqytetit.
“Duhet të jenë të gjithë të bindur se për qeverinë tonë dhe mua personalisht, Bashkia e Tiranës është lokomotiva në të gjitha drejtimet, dhe mbështetja jonë në këtë aspekt ka qenë, është dhe do mbetet një mbështetje prioritare, sepse për ne ka shumë rëndësi që ky partneritet të vijojë të prodhojë sukses, dhe ka shumë mundësi që kjo punë të vazhdojë të jetë komplementare, sepse Bashkia e Tiranës nuk është një bashki si të tjerat:
Është metropoli i Shqipërisë dhe duke pasur edhe këtë sukses ekonomik në Tiranë, ka edhe kapacitete për të bërë hapa shumë më të mëdhenj se të tjerat dhe në një farë mënyre për të udhëhequr me shembullin e saj në rrugën ku edhe të tjerët do hyjnë hap pas hapi”, deklaroi Rama.
Një tjetër iniciativë e rëndësishme që Rama përmendi ishte mbështetja për pensionistët përmes aboneve falas të financuara nga Bashkia e Tiranës. “Kështu, abonetë për të udhëtuar falas për pensionistët, të mbështetura dhe financuara drejtpërdrejt nga Bashkia e Tiranës, janë një hap që shkon në drejtimin e duhur, sepse ato në fakt janë abone për pensionistët për të mos nxjerrë pensionistët lek nga xhepi dhe për të mos paguar nga pensionet e tyre.
Por, nga ana tjetër, janë abone për të cilat paguan Bashkia e Tiranës, paguajnë taksapaguesit, paguajnë ndërtuesit, të cilët i paguajnë kësaj bashkie taksat më të larta. Se është kollaj të flasim ky po ndërton, ai po ndërton, por nga ana tjetër, ne duhet të shohim se sa gjëra marrim mbrapsht, jo thjesht në aspektin e transformimit që askush nuk mund ta imagjinonte dhe nuk e imagjinojnë të huajt që vijnë dhe të huajt nga të gjitha kategoritë”, shtoi ai.
Ndër projektet e reja, Rama theksoi dhe nismën për ofrimin e ushqimit të drekës në shkollat 9-vjeçare, një program që synon të ndihmojë familjet dhe të krijojë një komunitet më të fortë social mes fëmijëve.
“Do vëmë në jetë dhe projektin më të ri të përbashkët mes qeverisë dhe bashkisë që në shkollat 9-vjeçare të fusim edhe ushqimin e drekës. Dhe të krijojmë mundësinë për të pasur më shumë komunitet në sensin më shumë jetë të përbashkët edhe sociale mes fëmijëve për të pasur më shumë aktivitete që prindërit në momentin që lënë fëmijën në mëngjes në shkollë të mos e kenë kokën mbrapa dhe të mos detyrohen pastaj, të merren vesh me njëri tjetrin, kush do e lëri punën për të shkuar për ta marrë fëmijën për ta çuar në shtëpi etj, etj, po të bëjnë punën e tyre me orë të plota dhe nga ana tjetër patjetër dhe për të lehtësuar nga pikëpamja financiare një pjesë të familjeve që nuk e kanë shumë të lehtë jetën e tyre të përditshme ekonomike”, theksoi kreu i qeverisë.
Top Channel