Familja e skulptorëve/ U kthyen nga Greqia pas emigrimit, historia e Gazit nga Fieri dhe Tatjana nga Ukraina

31/01/2025 15:15

Gaz Gega, skulptori nga Fieri, ka një histori frymëzuese rikthimi dhe përkushtimi ndaj artit në vendlindjen e tij.

Pasi përfundoi studimet në Liceun Artistik “Jakov Xoxa,” ai emigroi në Greqi, ku punoi për shumë vite pranë disa prej skulptorëve më të shquar të vendit fqinj.

Përvoja e tij jashtë vendit e pajisi me njohuri dhe aftësi të avancuara, por ai vendosi të kthehej në Shqipëri për të kontribuar me talentin e tij.

“Mendova të kthehem dhe të jap kontributin tim në vendin tim,” shprehet Gazi. “Edhe pse skulpturat monumentale me përmasa mbi katër metra kërkojnë shumë punë dhe sakrificë, kam arritur t’ia dal me sukses. Punoj deri në 15 orë në ditë sepse për mua arti është sakrificë. Jam krenar që kam bashkëpunuar me skulptorët më të mirë shqiptarë dhe kemi realizuar vepra që sot marrin vlerësimin e duhur”, thotë Gazi.

Përkrah Gazit në këtë rrugëtim qëndron bashkëshortja e tij, Tatjana Putilova, një ukrainase e apasionuar pas artit. Edhe pse nuk ka studiuar për skulpturë, ajo ka një rol të rëndësishëm në realizimin e veprave artistike.

“Jam Tatjana, nga Ukraina,” tregon ajo. “Jetova për 11 vite në Greqi, ku u njoha me Gazin. Bashkë punuam shumë dhe ndihmoja vazhdimisht në punën e tij. Kemi dy fëmijë dhe kur vendosëm të ktheheshim në Shqipëri, vazhduam të merremi me art. Jam shumë e lumtur këtu, sepse edhe djali ynë ka ndjekur gjurmët tona dhe po studion për skulpture”, shprehet Tatjana.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA