Përkujtohet Kadare, mbahet në Durrës eventi në kujtim të shkrimtarit të madh

29/01/2025 14:53

Në 89-vjetorin e lindjes së kolosit të letrave shqipe, teatri “Aleksandër Moisiu” në Durrës u bë skena e një homazhi artistik, ku poezia, piktura dhe muzika u ndërthurën për të rikthyer fuqinë e fjalës së tij poetike në këtë ditëlindje të parë pa Kadarenë, që u nda nga jeta verën e kaluar.

Alketa Tragaj, drejtuese e Qendrës Kulturore “A.Moisiu” Durrës: “Kemi organizuar një mbrëmje që ndërthur 3 arte, letërsinë, muzikën dhe artin vizual… Është një mbrëmje mjaft e bukur dhe dinamike.”

Aktorët e trupës së teatrit përcollën emocion me vargjet e Kadaresë, ndërsa momenti më mbresëlënës ishte interpretimi i poezisë “Mall”, ku fjala, kënga dhe tingujt e pianos sollën një performancë të bukur artistike.

Suela Bako, aktore: “Ky është një event shumë modest karshi madhështisë së Kadaresë dhe na ngarkon më shumë me përgjegjësi…”.

Gjatë aktivitetit, shkrimtari Bashkim Hoxha, ndër të tjera, u ndal dhe tek raporti i Kadaresë me Durrësin.

“Besoj se kur ai përshkruan qytetet me kardinalë, tregtarë dhe konsuj ai e ka fjalën për Durrësin tonë të ngjashëm me të gjitha qytetet e botës perëndimore ku në biseda mbizotëronte filozofia e humanistëve…”, thotë Bashkim Hoxha.

Emri i Kadaresë është gdhendur në panteonin e letërsisë evropiane, por mbrëmja homazh e 89-vjetorit të lindjes së shkrimtarit dëshmoi edhe një herë se poetët jetojnë gjatë, përmes vargjeve dhe veprës së tyre që mbeten të pavdekshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA