FMN, Raporti: Shqipërisë i nevojiten reforma strukturore, pavarësisht pamjes optimiste makroekonomike

28/01/2025 03:52

Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi sot Raportin për Shqipërinë, ku theksohet se gjatë vitit 2024 ekonomia shqiptare është një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Europë bazuar tek turizmi dhe politikat makroekonomike të kujdesshme, por ajo po përballet me vështirësi si plakja e shpejtë e popullsisë, emigrimi, prodhimtaria e ulët dhe mangësitë e qeverisjes.

Raporti, që erdhi në vijim të Misionit të FMN-së të mbajtur në muajin nëntor, thekson se pavarësisht nga performanca e fortë, Prodhimi i Brendshëm Bruto (GDP) për frymë i Shqipërisë qëndron në rreth një të katërtën e nivelit të vendeve anëtare të BE-së.

“Pavarësisht nga pamja optimiste makroekonomike, mbeten sfida të konsiderueshme strukturore. GDP-ja për frymë qëndron në rreth një të katërtën e niveleve të SHBA-së dhe BE-së, ndërsa po ndodhin plakja e shpejtë dhe emigrimi. Nevojitet të ndërmerren reforma të gjera, në përmirësimin e qeverisjes, menaxhimin e financave publike, në rritjen e kapitalit njerëzor dhe prodhimtarisë për të nxitur një rritje më të qëndrueshme afatgjatë”, theksohet në raportin e FMN-së për Shqipërinë.

Në të thuhet se prodhimi tani është shumë më i lartë se sa para pandemisë COVID-19 falë lulëzimit të turizmit. Sipas FMN-së, politikat e kujdesshme fiskale ndihmuan reduktimin e dukshëm të borxhit publik, ndërsa ulja e shkallës së inflacionit u lehtësua prej politikave monetare, rënies së çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare si dhe prej mbiçmimit të lekut. Po ashtu është tkurrur ndjeshëm edhe deficiti i shkëmbimeve tregtare.

FMN vlerëson se perspektivat e rritjes pritet që të mbeten të fuqishme. Rritja reale e PBB-së ishte 3.9 në vitin 2023, por në vitet 2024-29 parashikohet të jetë rreth 3.5 për qind, e nxitur nga konsumi i brendshëm, turizmi dhe ndërtimtaria, thuhet në raport, ndërsa në fund të vitit 2024 inflacioni pritet të jetë rreth 2 për qind, një pikë poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Raporti thekson se autoritetet pritet të tejkalojnë objektivin e tyre buxhetor për vitin 2024; nga 0.3 për qind e PBB-së, parashikohet që teprica të shkojë në 0.5 për qind e PBB-së, ndërsa buxheti i vitit 2025 synon një bilanc parësor zero, ndërkohë që të ardhurat vlerësohet se janë në rrugën e duhur, falë koniunkturës së favorshme dhe vonesave në ekzekutimin e shpenzimeve kapitale.

FMN vlerëson se borxhi publik vlerësohet të jetë i qëndrueshëm në periudhën afatmesme, dhe nga parashikimi prej afro 56 për qind në fund të vitit 2024, pritet të bjerë në rreth 50 për qind në vitin 2029.

Raporti vlerëson se dobësitë sistemike janë të pranishme në sistemin financiar, ndërsa sektori bankar mbetet likuid dhe i mirëkapitalizuar.

FMN rendit si burime rreziku për ekonominë ekspozimet ndaj huamarrësve të mëdhenj dhe bankave, zgjerimin e shpejtë të kreditimit nga bankat për sektorin e pasurive të paluajtshme, i cili ka shënuar një rritje të vazhdueshme të çmimeve dhe përbën dy të tretat e kredive të pambrojtura në valutë./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA