“U manipulua shorti”/ Gjykata e Lartë reagon pas deklaratës së Salianjit: Pse u ndryshua gjyqtari relator

27/01/2025 17:08

Gjykata e Lartë ka reaguar pas akuzave të Ervin Salianjit lidhur me shortin e caktimit të relatorit që do të shqyrtojë rekursin e ish-deputetit demokrat, i cili prej 26 shtatorit 2024 po vuan dënimin me 1 vit heqje lirie, në Burgun e Fierit. Fillimisht shorti ka caktuar gjyqtaren Albana Boksi por më pas çështja i është kaluar Sokol Binajt.

Gjykata e Lartë sqaron se Binaj kishte qenë relator edhe i ankimimit nga Salianji lidhur me pezullimin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Apelit, kërkesë e cila u rrëzua dhe sipas ligjit nuk mund të jenë dy gjyqtarë të ndryshëm si relatorë.

Ervin Salianji e cilëson gjithë procesin ndaj tij si politik, ndërsa paralajmëron se do të mbajnë përgjegjësi ata që e çuan pas hekurave.

Njoftimi:

Në datën 08.01.2025, në Gjykatën e Lartë është regjistruar çështja penale me numrin 51180-00012-00-2025, e cila ka si palë kërkuese: Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe të pandehur: A.V., F.A., J.O., E.S., dhe G.(A.)Xh..

Përmes regjistrimit elektronik në Sistemin e Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore (ICMIS), që nuk administrohet nga Gjykata e Lartë, por nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, shorti cakton automatikisht një gjyqtar relator për çdo çështje të regjistruar. Për këtë çështje është caktuar nëpërmjet shortit elektronik si gjyqtar relator, anëtarja e Kolegjit Penal, Albana Boksi.

Bazuar në Urdhrin nr. 106, datë 15.05.2023 të Kancelarit të Gjykatës së Lartë “Për disa masa organizative lidhur me menaxhimin e çështjeve gjyqësore”, është e detyrueshme që “kur për shqyrtimin e kërkesës për pezullimin e ekzekutimit të vendimit civil/administrativ/penal të regjistruar më parë dhe për shqyrtimin e rekursit të regjistruar më vonë, janë caktuar dy gjyqtarë relatorë të ndryshëm nga sistemi ICMIS, çështja gjyqësore të kalojë në emër të gjyqtarit të caktuar për shqyrtimin e pezullimit të ekzekutimit të vendimit civil/administrative/penal”.

Referuar këtij urdhri dhe për të respektuar përputhshmërinë me praktikën që është ndjekur në të gjitha rastet e kësaj natyre, është kryer kalimi i çështjes për shqyrtimin e rekursit tek gjyqtari Sokol Binaj, i cili është gjyqtari që ka shqyrtuar më parë kërkesën për pezullim të ekzekutimit të vendimit, e regjistruar me numrin 77303-00022-00-2024, datë 01.10.2024.

Mospërmbushja e një veprimi të tillë do të konsiderohej në kundërshtim me rregullat e vendosura për gjyqtarin natyral dhe me standardin e gjykatës së caktuar me ligj.

Ky veprim që kryet automatikisht nga sistemi elektronik, i cili garanton njëkohësisht edhe për integritetin e tij, ka për qëllim të sigurojë një menaxhim më të mirë dhe më të shpejtë të çështjeve gjyqësore, si dhe transparencë dhe efikasitet në administrimin e drejtësisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA