“Në SPAK ka mbërritur foto e Olsi Ramës me Genti Xhixhën”, Dumani i përgjigjet Berishës: BKH s’ka asnjë denoncim nga Zaho Koka

20/01/2025 17:17

Prej dy të hënash rresht, kryetari i Partisë Demokratike ka artikuluar në publik se në SPAK ka mbërritur një letër e nënshkruar nga një person i quajtur Zaho Koka ku jepen informacione për implikimin e vëllait të kryeministrit, Olsi Rama në dosjen e Xibrakës.

Sipas tij në letër ishte edhe një foto e Olsi Ramës me Genti Xhixhën në një qytet të BE-së.

Ndërkohë që herën e parë foli për një person anonim me emrin Zaho Koka, Berisha sot kaloi në një tjetër nivel. Ai tha se teksa hyri në SPAK për t’u paraqitur konform masës së gjykatës “detyrim paraqitje”, aty “gjatë kohës që qëndrova në këtë ndërtesë, gjeta aty Zaho Kokën me dosjen e tij. Zaho po dëshmonte, i rrethuar nga disa OPGJ, për Olsi Ramën”.

Lidhur me deklaratën e Berishës ka reaguar sot SPAK, që bën të ditur se kreu i Prokurorisë, Altin Dumani, ka kërkuar përmes një shkrese më 13 janar 2025, që Byroja Kombëtare e Hetimit të verifikojë nëse ka pranuar ndonjë informacion nga shtetasi Zaho Koka.

Byroja Kombëtare është përgjigjur duke deklaruar se “Nga verifikimet e kryera në Sekretari, Protokoll rezulton se në Byronë Kombëtare të Hetimit nuk ka ardhur letër, kallëzim apo denoncim nga shtetasi i pretenduar si Zaho Koka”.

Njoftimi i SPAK

“Nisur nga deklarata e bërë në media, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Z. Altin Dumani i është drejtuar Drejtoreshës së Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) përmes një shkresë më dt. 13.01.2025, për të bërë verifikimet e nevojshme, nëse është dërguar në BKH ndonjë shkresë nga shtetasi i përmendur si Zaho Koka, ku jepet informacion për shtetasin Ols Rama, si edhe rrëmbimin e një biznesmeni me inicialet V.B

Përmes kësaj shkresë, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Z.Altin Dumani ka kërkuar nëse është dërguar një informacion i tillë, është rregjistruar apo caktuar ndonjë hetues i BKH-së (cili prej tyre) dhe nëse është bërë verifikimi i tij. Z.Dumani ka kërkuar gjithashtu të informohet nëse kanë përfunduar verifikimet e kryera dhe cila është procedura. Më datë, 14.01.2025, Drejtoresha e Byrosë Kombëtare të Hetimit, përmes një shkresë sqaroi se:

“Nga verifikimet e kryera në Sekretari,Protokoll rezulton se në Byronë Kombëtare të Hetimit nuk ka ardhur letër, kallëzim apo denoncim nga shtetasi i pretenduar si Zaho Koka.

Menjëherë pas kësaj deklarate, erdhi një tjetër reagim nga kreu i PD-së, Sali Berisha.

Sot, pasi denoncova para ‘SKRAP-it të Partisë’ fshehjet e krimit të Olsi Xibrakës, mashtrimin e tij publik duke deklaruar se kishte udhëtuar vetëm një herë me makinën e udhëtimit të drejtuesve të grupit të Xibrakës, ndërkohë që me dokumenta zyrtare faktohet se Olsi Rama ka përdorur makinën e drejtuesve të bandës për të kaluar kufirin jo një, por së paku pesë herë, reagoi jo Olsi, por vëllai i Olsit, me zëdhënësin e tij, Altin Lala.
Edi Rama, me zëdhënësin e tij Lala, nuk dha asnjë provë apo fakt se Olsi Rama nuk kishte kryer mashtrim publik, duke deklaruar se kishte udhëtuar vetëm një herë me makinën e udhëtimit të drejtuesve të grupit të Xibrakës, ndërkohë që faktohet se ka udhëtuar shumë herë me atë makinë.
Përveç kësaj, Edi Rama, me zëdhënësin e tij në ‘Skrapin e Partisë’, i cili fle mbi dosjet e krimit dhe copëton e mbyll krime të rënda të skapistëve dhe politikanëve qeveritarë, mendon t’i diktojë opozitës se çfarë mund të publikojë dhe çfarë nuk mund të publikojë ajo.
Me reagimin e sotëm, Edi dhe Olsi Rama, me zëdhënësin e tyre mercenar Altin Lala, faktuan se janë të tmerruar nga krimet dhe lidhjet e tyre të tmerrshme me krimin.
Me këtë rast, iu bëj të ditur atyre, por edhe gjithë shqiptarëve, se Partia Demokratike, në emër të interesit publik, do të publikojë çdo fakt, provë apo dokument që faktojnë lidhjet me krimin të Edi Ramës, familjarëve të tij, qeveritarëve, deputetëve, narko-zyrtarëve, narko-skapistëve apo narko-gjykatësve të narkoshtetit shqiptar dhe do t’i denoncojë këto lidhje para opinionit publik kombëtar dhe ndërkombëtar!
Me këtë rast, PDSH fton qytetarët, por edhe punonjësit e ndershëm të administratës, t’i dërgojnë asaj çdo provë, fakt apo dokument që provojnë lidhjet e pushtetit me krimin“.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA