Teksa në Capitol Hill mbahej ceremonia e inaugurimit të Donald Trump si Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Piramidën e Tiranës, piktori Avni Delvina hapi ekspozitën TRIUMH.
Artistë, personalitete të politikës e medias duartrokitën rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Fotomontazhet e zgjedhura nga Delvina, shoqëruar me linja grafike përcjellin personalitet artistik dhe emocione te artdashësit.
Krijimet shfaqin figurën e Trump në të gjithë dinamikën e tij politike. Figura e liderit republikan vendoset mes veprave të njohura të artit pamor, ndërkohë që ironizohen kundërshtarët e tij.
“Kjo erdhi për shkak të një kundërshtimi kolosal të së majtës botërore ndaj Donald Trump. Shpeshherë thonë piktori i Donald Trump. Jo, aty jam unë, jemi të gjithë ne që gjejmë një frymë lirie. Po ta shihni, në një farë mënyre ka një gëzim shumë të madh në të gjithë botën”, shprehet Delvina.
Grafikët e Delvinës nuk kanë kufij nacionalë, aty është historia e një bote në krizë ekzistenciale. Përmes simbolikës që përdor, ai përdor portretin e Donald Trump për të transmetuar mesazhe universale, për njerëzit e thjeshtë…
Ekspozita me 46 grafika, e kuruar nga Niko Dhales do të qëndrojë e hapur në ambientet e Piramidës deri më 26 janar.
Top Channel