Vijon të jetë në ulje numri i shpendëve ujorë dimërues në Liqenin e Prespës së Madhe.
Ndryshimet klimatike dhe aktiviteti njerëzor mbeten ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në reduktimin e numrit të shpendëve që dimërojnë në ligatinat e vendit tonë.
Pavarësisht se Prespa e Madhe është më pak e kërcënuar nga faktori njerëzor, pasojat e ngrohjes globale çdo vit reflektohen në numrin e individëve që dimërojnë në këto habitate.
Grupet e ornitotologëve dhe specialistëve të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura,të cilët po zhvillojnë censusin e shpendëve ujorë dimërues për këtë vit kanë konstatuar se krahasuar me vitin e kaluar nuk ka ndryshime në llojet e specieve, por ka rënie të numrit të individëve, kryesisht te rosës laramane me çafkë dhe bajzës.
Prespa e Madhe mbetet një ndër zonat më të rëndësishme pasi është habitati kryesor i pelikanit kaçurrel ndërsa censusi i shpendëve në rajonin e Korçës do të zhvillohet edhe në Prespën e Vogël dhe liqenin e Ohrit.
Për herë të parë këtë vit do të përfshihen në numërim edhe pellgu ujëmbledhës i Moglicës dhe rezervuari i Shtyllës. Në shkallë vendi censusi po zhvillohet në 34 zona dhe paralelisht në 143 vende të botës.
Top Channel